YAHOO, JANË VJEDHUR INFORMACIONET E 1 MILIARD PËRDORUESVE

326
fresco

Gjiganti teknologjik amerikan Yahoo ka bërë të ditur se në vitin 2013 të dhënat e një miliard përdoruesve janë vjedhur nga piratë “të sponsorizuar nga shteti”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në deklaratën nga kompania me qendër në California njoftohet se në sulmin kibernetik të vitit 2013 janë vjedhur të dhënat e llogarive të afërsisht një miliard përdoruesve.

Sipas deklaratës, në mesin e të dhënave të vjedhura gjenden të dhëna sekrete, adresa të postës elektronike, numra të telefonit, datëlindje, fjalët sekrete për vërtetimin e llogarisë, ndërkohë që bëhet e ditur se përdoruesit nuk kanë pësuar asnjë dëm financiar.

Gjithashtu, sipas deklaratës besohet që sulmi kibernetik i vitit 2013 të jetë realizuar nga piratë “të sponsorizuar nga shteti”.

Në vitin 2014 ishin vjedhur të dhënat e 500 milionë përdoruesve

Nga ana tjetër, në muajin shtator Yahoo kishte deklaruar se në vitin 2014 janë vjedhur të dhënat e 500 milionë përdoruesve.

Në katër muajt e fundit Yahoo njoftoi opinionin për dy sulme kibernetike. Në median amerikane sërish është nxitur debati rreth asaj se sa “të sigurta” janë protokolet e sigurisë së Yahoo-s.

Në sulmin e parë kibernetik ku janë vjedhur të dhënat e 500 milionë përdoruesve, ishte thënë se janë vjedhur, emra, adresa të postës elektronike, numra telefoni, datëlindje, fjalëkalime, pyetja dhe përgjigja për vërtetimin e llogarisë, megjithatë nuk ishin vjedhur të dhënat financiare siç janë ato të kartelave kreditore.

Verizon, njëra nga kompanitë më të mëdha amerikane të telekomunikacionit, në muajin korrik kishte arritur marrëveshje për blerjen e njësive kryesore operuese të Yahoo-s në vlerë prej 4.8 miliardë dollarësh, mirëpo pas sulmit të parë kibernetik ajo tha se “mund të rinegocionohen kushtet e marrëveshjes”.

Menjëherë pas njoftimit për sulmin kibernetik, Yahoo humbi vlerë ne bursë për 2.7 përqind.

Comments