Sinoptikët paralajmërojnë reshje shiu edhe për muajin qershor

564
fresco

Disa të veshur me pallto, disa të tjerë me bluzë me mëngë të shkurtra. Nga moti i paqëndrueshëm, që sa duken rrezet e diellit ato mbulohen me vranësira dhe me reshje të kohëpaskohshme, qytetarët shprehen se nuk dinë as se si të vishen. Por, pothuaj se të gjithë mbajnë me vete edhe një ombrellë.

“Jo, mua nuk më ka ndodhur ende, por të shohim në të ardhmen si do të jem.”

“Po, ju pengon atyre të sëmurëve që janë, se neve tjerëve të shëndoshëve nuk na pengon.”

“Po, më mundon e nuk po mundem të marr frymë lirshëm edhe s’ka askush të më ndihmojë.”

Të gjitha stinët në një ditë, të rinjve po u prishin qejfin për dukjen e jashtme, kurse më të moshuarve po u bënë telashe edhe në gjendjen shëndetësore.

“Sigurisht, që janë të pazakonta këto ndryshime të shpeshta të motit në kohën kur ka qel behari, të cilat besoj se po shkaktohen nga ndotja ajrit dhe lirimet e pakontrolluara të gazrave në atmosferë.”

Nga Enti Hidrometeorologjik thonë se kapriçot e motit do të vazhdojnë si në fund të majit ashtu edhe në fillim të muajit qershor. Sipas Lençe Rizovas të mërkurën temperatura do të arrijnë deri në 30°C kurse në fundjavë do të ulen për 7 gradë më pak, duke pasur edhe reshje të shiut.

Temperaturat nesër do të jenë më të larta nga të sotshmet, duke lëvizur në intervalin nga 22 deri më 29 gradë celsius. Do të thotë se do të kemi më tepër diell për dallim nga sot. Të mërkurën në orët e pasdites do të ketë një periudhë të caktuar me reshje të shiut. Ndërsa, nga e enjtja do të jemi nën ndikimin e valëve të lagështisë, të cilat vazhdojnë gjatë ditëve të fundjavës, duke shkaktuar mot të paqëndrueshëm me të reshura të shtuara të shiut, bubullima dhe erëra të furishme- tha Lençe Rizova, Enti Hidrometeorologjik i RVM-së.

Prognozat hidrometeorologjike thonë se mot me reshje sporadike do të ketë edhe në fillim të javës së ardhshme. Kjo nënkupton që mot i freskët do të mbaj edhe për festën e Bajramit.

Nga Sektori i bujqësisë thonë se aktualisht kushtet atmosferike janë në favor të kulturave bujqësore përderisa nuk do të ketë breshër dhe vërshime. Sipas parashikimeve të Entit, pranvera e vonshme do të ndihet me ngritjen e temperaturave konstante nga mesi i muajit qershor, si alarm i fundit për fillimin e stinës së verës.

Adnan Qaili

Comments