Përvjetori i tretë i vdekjes së Almir Aliut

342
fresco

 

Tre vjetori i vdekjes së Almir Aliut palët e përfshira në tragjedi i gjen të pakënaqura me vendimin gjyqësor. Derisa familja Aliu ankohet për drejtësi të njëanshme dhe dënim të ulët për vrasësin Boban Iliq, avokati i këtij të fundit pretendon se klienti i tij veprën e ka kryer në rrethana të nevojës ekstreme. Më 21 qershor përfundoi procesi gjyqësor për rastin e Almir Aliut i kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit. Vendimi i Gjykatës Themelore të Kumanovës nuk ndryshoi aspak nga ai të cilin e hodhi poshtë organi i shkallës së dytë. Familja Aliu këtë e cilësoi si vrasje të dytë, ndërsa Boban Iliq po vuan dënimin në arrest shtëpiak pasi që ndaj t’i nuk janë shqiptuar masa kujdesi përpos obligimit me paraqitje në Gjykatë. Vendimi i parë u hodh poshtë nga Apeli pas parregullsive të shumta gjatë procesit gjyqësor, ku si fillim nuk u pranuan dëshmitarët okular, më pas vepra u rikulifikua nga “vrasje” në “vepër të rëndë kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion” dhe krejt në fund rezultoi që ekspertizat të cilat kanë ndikuar në rikualifikimin e veprës, si ajo neuropsikiatrike dhe teknike janë bërë nga ekspert pa licenca. Të gjitha këto zhvillime kishin nxitur protesta dhe reagime, ndërsa gjykatëses Maja Denkoska nuk iu tremb syri në marrjen e vendimit. Grupi parlamentar i BDI-së në Kuvend kishte iniciuar Komision Anketues i cili deri tani nuk ka mbajtur asnjë mbledhje. Kryeprokurori Lubomir Joveski disa herë ishte pyetur nga gazetarët dhe deputetët për rikualifikimin e veprës, por i pari i organit të akuzës ishte mbrojtur me idenë se në rast se nuk rikualifikohej vepra, Gjykata do të duhej të merrte vendim për lirimin e Boban Iliqit pa dhënë arsye shtesë për një version të tillë. Vrasja e Almir Aliut ndodhi më 25 qershor të vitit 2016 në Kumanovë si pasojë e një zënke paraprake mes babait të Almirit, Sedat Aliu dhe Boban Iliqit. Almiri 4 vjeçar nuk i mbijetoi plagëve, ndërsa akuza ndaj Boban Iliqit u ngrit gjashtë muaj pas vrasjes së Almirit. Vëllai i Boban Iliqit nuk është përfshirë në asnjë akuzë, ndërsa Prokuroria Themelore akuzën e së cilës e përfaqëson Suzana Kusigerska nuk kishte propozuar si provë as makinën me të cilën ishte shtypur Almiri. Pak javë pas vrasjes makina ishte riparuar dhe vendosur në treg për shitje.

Adrian Kerimi

Comments