Inspektorati i Policisë së Kosovës, ka shënuar 13-vjetorin e themelimit. Në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe kryeministri Ramush Haradinaj, i cili tha se mburret me sukseset e Policisë së Kosovës.
Ai inkurajoi këtë institucion që të kryejë detyrat me përgjegjësi të plotë, teksa tha se Qeveria që ai udhëheq do të vazhdojë mbështetjen për Policinë e Kosovës.
“Mburrem me Policinë e Kosovës, me profesionalizmin. Do të vazhdojmë të përkrahim Policinë e Kosovës. Synojmë të përforcojmë edhe IKP-në. Kemi shumë sfida duke përfshirë edhe korrupsionin, papunësinë, multietnicitetin. Mënyra më e suksesshme është që secili në mandatin e vet të punon suksesshëm. Kështu do të jemi të suksesshëm”, tha ai.
Haradinaj tha se për të forcuar shtetin në aspektin ligjor kanë bërë edhe rritjen e pagave prej 100 për qind për gjyqtarët dhe prokurorët, për të cilët tha se janë përgjegjës për të luftuar dukuritë negative në vend, raporton EO.
“Qeveria që e udhëheq ka ndërmarr veprime direkte për të forcuar shtetin. Me guxim kemi vepruar për dyfishimin e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët. Por ky vendim është një dëshmi që populli i Kosovës e kupton punën e gjyqësisë. Do të rritim edhe më tutje stafin e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Topi është te prokuroria dhe gjyqësia. Ne përkrahim Policinë e Kosovës. Sytë janë kah policia dhe nga gjithë ne, ka kush na sheh. Në këtë mënyrë do të ecim përpara”, tha ai.