Komuna e Kumanovës nuk respekton dygjuhësinë dhe kjo ndodhë edhe në njërën nga ndërtesat e saj komunale, që brenda një periudhe të shkurtër u mor me qira për vendosjen e shërbimeve komunale, informon INA.
Në tabelën hyrëse të objektit ku janë të vendosur shërbimet tatimore dhe inspektoratet komunale figuron vetëm mbishkrimi në maqedonisht, ndërsa askund nuk është gjuha shqipe. Ky reagim vjen nga qytetarë të cilët kanë shkruar në adresë të INA.
“Jemi habitur se si nuk e përdorin gjuhën shqipe. Kjo ndodhë edhe në raste tjera. Por na habit ky fakt se si kjo ndërtesë u mor me qira tani shpejt, por si u vendos tabela vetëm maqedonisht. Çfarë porosie duan të çojnë me këtë dhe a është ndonjë provokim kjo”, ka shkruar për INA, një kumanovar.
Komuna e Kumanovës ditë më parë reagoi për një mbishkrim të Stacionit të Autobusëve që ishte vendosur vetëm në maqedonisht dhe se për këtë theksoi se distancohet nga shkelja ligjore.
“Stacioni i autobusëve është nën pronësi private, si investim për të mirën e përgjithshme të qytetarëve. Komuna e Kumanovës nuk ka kompetenca ligjore në të. Ligji për përdorimin e gjuhëve duhet të respektohet nga të gjitha institucionet e nivelit qendror dhe lokal në Maqedoninë e Veriut”, thuhej në reagimin e Komunës. Nga komuna e Kumanovës pritet të deklarohen edhe për këtë rast me tabelën e vendosur në objektin sekondar komunal që gjendet përballë stadiumit të qytetit.
Sipas ligjit për gjuhët, gjuha shqipe është zyrtare në komunën e Kumanovës, por ajo shumë pak ka gjetur zbatim praktik.