Deshën të depononin para false, arrestohen
Policia e Kosovës në raportin e sotshëm bën të ditur se ka arrestuar dy persona në flagrancë, deri sa po përpiqeshin të depononin rreth 40 mijë euro të falsifikuara.
Njësiti i Krimeve Ekonomike pas hetimeve, që kanë zgjatur nga tetori i vitit të kaluar, ka arrestuar dy të dyshuar, meshkuj, K/shqiptarë, në flagrancë, derisa po përpiqeshin të depononin bankënota false në ATM, thuhet në raport të policisë. Po sipas këtij burimi, policia ka konfiskuar 89 bankënota të dyshuara në apoena prej 50 euro.
Dëmi i shkaktuar i bankës nga personat e dyshuar është 40.000.00 (dyzetmijë euro).
Me urdhër të prokurorit janë kontrolluar shtëpitë e të dyshuarve, por nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.
Policia E Kosovës në raportin e sotshëm bën të ditur edhe për një rast tjetër të kapjes së falsifikatorëve të eurove.
Në fshatin Talinovc të Ferizajt pardje janë ndaluar dhe intervistuar dy të dyshuar meshkuj, K-shqiptarë, pasi atyre iu gjetën dhe konfiskuan 350 euro (7X50) si dhe 150 euro (3X50) para të dyshuara për falsifikim.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, ata janë liruar në procedurë të rregullt, thuhet në raport.