
Punëtorët e Jugohromit paralajmërojnë protesta për ditën e martë, për të kërkuar rihapjen e fabrikës, pavarësisht se ende nuk janë vendosur filtrat. Ata shprehen të revoltuar nga heshtja e Qeverisë për kërkesat e tyre të parashtruara javë më parë, ndërsa kërcënojnë se deri atëherë kur problemi I tyre të gjejë zgjidhje, ata nuk do pushojnë së protestuari. Nga Sindikata po ashtu thonë se të hënën do të kërkojnë përsëri takim me kryeministrin.
Gjatë takimit të fundit mes Sindikatës së Jugohromit kryeministrit Dimitriev, dhe zv/ kryeministrit Peshevski, nuk morëm asnjë rezultat pozitiv se Jugohromi do të rifillojë, dhe ne si Sindikatë dhe punëtorë e kemi patjetër që ta shprehim revoltën tonë përmes protestës, edhe atë me bllokadë të rrugës Tetovë-Shkup në të dy kahjet më 31 janar tek pika pagesore në Zhelinë”, deklaroi Svetislav Spasovski, Sindikata e Jugohromit.
Banorët e Tetovës shprehen të ndarë rreth rifillimit të punës në Jugohrom. Përderisa një pjesë e tyre thonë se e pa tolerueshme që të rihapet kjo fabrikë pa përmbushjen e standardeve ekologjike, disa të tjerë thonë kombinati duhet të fillojë punën pasi aty shumë punëtorë sigurojnë kafshatën e gojës.
“Sipas mendimit tim, duhet të rihapet, sepse popullata janë pa punë, duhet vendosur filtrat dhe të funksionojë. Besoj se Jugohromi nuk është ndotësi kryesor që e ndot ajrin, por megjithatë duhet të vendosen filtrat , investim i madh është por e arrin qëllimin më vonë”.
“Shihni si është klima, e ndotu, ndikon në shëndetin e çdo njeriu, çdo gjallese derisa të vendosen filtrat dhe të rregullohet, atëherë le të punojë”.
“Asnjëherë nuk duhet të rihapet Jugohromi, sepse është I dëmshëm për shëndetin e njerëzve. Përgjithmonë duhet mbyllur, ose ta kryejnë obligimin t’i vendosë filtrat dhe pastaj le të punojë sipas rregullave që duhet”.
Nga ministria e Ekologjisë thonë se nuk janë njoftuar nga Sindikata e punëtorëve për protestën dhe kërkesat që do të shpalosen në të. Nga ky institucion nuk kanë përgjigje nëse do të lejojnë hapjen e Jugohromit pas skadimit të afatit 90 ditor për mbylljen e këtij kombinati për shkak të mospërbushjes së standardeve ekologjike./Alsat-m