Anëtarësimi i Shqipërisë/ ‘Rezoluta Fleckenstein’ 231 amendamente me kërkesë të eurodeputetëve

Projektrezulta për Shqipërinë e raportuesit Knut Fleckenstein i është nënshtruar 231 amendamenteve nga grupime të ndryshme politike në Parlamentin Europian lidhur me çeljen e negociatave të anëtarësimit, 5 prioritetet kyçe në reformat e integrimit, reformën zgjedhore dhe ligjin e dekriminalizimit. Ndryshe nga raportuesi Knut Fleckenstein që e kushtëzon hapjen e negociatave të anëtarësimit me zbatimin e ligjit të Vetting, 10 amendamente të eurodeputetëve të ndryshëm kërkojnë që në kushtëzim të përfshihet edhe zbatimi i 5 prioriteteve.
Lidhur me reformën në drejtësi, ka disa amendamente ku përveç kërkesës së zbatimit të ligjit të Vettingut shprehet shqetësimi për varësinë politike të sistemit të drejtësisë dhe kapacitetet administrative shumë të kufizuara. Për luftën ndaj krimit të organizuar, amendamente si ai i raportuesit në hije Eduard Kukan kërkojnë zhdukjen e plantacioneve të kanabis në Shqipëri dhe të grupeve kriminale që janë të lidhura me të dhe transparencë për përgjeshmërinë e forcave policore dhe autoriteteve që monitorojnë plantacionet potenciale në vend.
Amendamente të eurodeputetëve të tjerë shprehin shqetësimin për akuzat e infiltrimit të shtetit nga grupe kriminale dhe dështimin e policisë dhe prokurorisë për indetifikimin e grupeve kriminale që drejtojnë trafikun e drogës. Amendamentet lidhur me prioritetin për luftën kundër korrupsionit, venë theksin tek korrupsioni si një problem serioz për vendin dhe nevojën për bashkëpunim më të mirë midis organeve tê policisë dhe prokurorisë për një gjurmë të konsoliduar provash në hetimet dhe dënimet edhe për korrupsionin e nivelit të lartë. Për reformën në administratën publike, në amendamente theksohet nevoja pêr ndërtimin e një administrate të depolitizuar dhe profesionale, pasi ajo do tê mbajë peshën kryesore tê negociatave të anêtarêsimit, si dhe nga ana tjetër forcimin e organeve të pushtetit lokal. Lidhur me të drejtat e njeriut, ka një sërë amendamentesh për mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve në Shqipëri.
Për reformën zgjedhore, amendamentet kërkojnë transparencën pêr financimin e partive, zgjidhjen e problemeve të mungesës së profesionalizimit dhe paanshmërisë së administratës zgjedhore, evitimin e votimit në grup dhe parregullsive të tjera të evidentuara nga rekomandimet e OSBE/ODHIR dhe zbatimin e plotë të ligjit të dekriminalizimit për hartimin e listave të kandidatëve.
Ka gjithashtu amendamente që shprehin shqetësim për raportin e FMN për ndryshimin e legjislacionit për tatimet në përfitim të një grupi të vogël aktorësh privatë, prokurimet direkte dhe marrëveshjet publike-private ku vihet në pyetje impakti për interesin publik. Ndonëse toleranca fetare mbetet një pikë e fortë për Shqipërinë, disa amendamente që shprehin shqetësim për një numër xhamish të paautorizuara që akuzohen për lidhje ma grupe ekstremiste dhe që përbëjnë një rrezik për përhapjen e radikalizimit. Eurodeputët kritikojnë përmes amendamenteve të veçanta politikën mjedisore dhe ndërtimin e hidrocentraleve në dëm të parqeve kombëtare. Shprehet shqetësim për influencën politike në media dhe mosgarantimin e pavarësisë së anëtarëve të Autoritetit të Medias Audivizuale. /ABC News/

