Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Hajko Mas, ka reaguar pas publikimit të raportit të KE-së, duke thënë se shpreson që shumë shpejt të hapen negociatat me BE-në. Nëpërmjet një deklarate të shkruar, Mas ka thënë se, pas vlerësimeve pozitive të KE-së për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, Gjermania angazhohet për fillim të shpejtë të negociatave për anëtarësim në BE. Ai vlerëson se dy vendet kanë bërë progres dhe duhet të inkurajohen në rrugën e tyre, përmes vendimit pozitiv për hapjen e negociatave.
Hajko Mas
“Dy vendet kanë bërë progres të qartë në reformat kyçe, veçmas në forcimin e sistemit gjyqësor dhe luftën kundër krimit të organizuar. Ne i ndajmë vlerësimet pozitive të KE-së. Prandaj angazhohemi për fillim të shpejtë të negociatave në BE. Negociatat qasëse janë hallkë më e mirë që mund t’u jepet Shqipërisë dhe RMV-së dhe mbështetja më e mirë e mundshme për progres të mëtejmë”.
Shefi i diplomacisë gjermane paralajmëron se mos-hapja e negociatave do të jetë e dëmshme për dy vendet, por edhe për BE-në dhe Gjermaninë.
Hajko Mas
“Pa shenjë inkurajuese nga BE do të rrezikojmë progresin e madh të arritur në vitet e fundit. Kjo do të dëmtojë edhe interesat e BE-së dhe Gjermanisë. Na duhen shtete stabile, efikase dhe demokratike në Ballkan Perëndimor”.
Komisioni Evropian ka publikoi të hënën raportet e përditësuara për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, ku rekomandohet sërish hapje e negociatave për anëtarësimin e dy vendeve në BE. Eurokomesari për zgjerim, Oliver Varheji, deklaroi se, Komisioni Evropian qëndron fuqishëm pas rekomandimit të tij për të hapur negociatat me dy vendet dhe tha se shpreson që, shtetet anëtare do të marrin vendim pozitiv në javët vijuese.