Shkolla në Kllukovec, komuna nis rindërtimin (VIDEO)

Edhe java e tretë e gjysëmvjetorit të dytë të shkollës do të bojkotohet nga nxënësit e shkollës fillore “Vasill Gllavinov” të fshatit Kllukovec të komunës së Velesit. Kështu thonë prindërit e fëmijëve të cilët nuk pajtohen që të rinovohet vetëm një klasë e vogël pasi, sipas tyre, kjo nuk ndryshon asgjë në përmirësimin e kushteve për mësim. Ata madje përsërisin apelin drejtuar ministrit Pishtar Lutfiu për vizitë në këtë fshat.
“Ne do të kishim kënaqësinë që ata vet të vijnë dhe të na vizitojnë këtu, ta shohin me syt e tyre se kërkesat të cilat bëhen nuk janë vetëm fjalë goje. Por, të vërtetohen vet se vërtet ka nevojë në këtë vend që të miren hapa ose të sigurohet diçka për fëmijët, jo për ne si banues të këtij fshati”.
Nga Ministria e Arsimit nuk dhanë asnjë përgjigje nëse do ti përgjigjen ftesës së banorëve të fshatit Kllukovec. Nga ky institucion ditë më parë u shfajësuan duke ia hedhur fajin kryetarit të Velesit dhe shkollës qendrore se nuk kanë parashtruar asnjë kërkesë për rinovim. Por një gjë të tillë e mohoi kryetari i Velesit.
“Kemi nisur rinovimin e një klasë prej 30 katrorë, për disa ditë e njëjta do të jetë gati. Në Ministrinë e Arsimit kemi dorëzuar edhe një kërkesë urgjente për shkak se investimet kapitale janë përgjegjësi e Ministrisë së Arsimit ndërsa ne do të mundohemi që ta rinovojmë një klasë me mundësitë që kemi dhe gjatë periudhës që vjen do të rinovojmë edhe një tjetër klasë dhe nxënësit do të kenë kushte për mësim”, tha Sllavço Çadiev, kryetar i Velesit.
Rreth 50 nxënës të shkollës fillore “Vasill Gllavinov” të fshatit Kllukovec nuk kanë nisur fare gjysëmvjetorin e dytë. Kjo për shkak se godina shkollore është gjysmë e rrënuar dhe nuk i plotëson kushtet për zhvillimin e mësimit./Alsat-m