Dialogu: Kurti refuzon të marrë pjesë në takim me krerët e shtetit dhe të partive politike

476
fresco

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se para tri ditëve kishte pranuar njoftimin për një kërkesë nga ambasada e Kosovës në SHBA, të nënshkruar nga 25 veprimtarë shqiptarë, për të marrë pjesë në një takim virtual të përbashkët me krerët e institucioneve shtetërore e të partive politike, për të diskutuar perspektivën e strategjitë e veçanta e të përbashkëta të subjekteve kosovare në lidhje me procesin e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, transmeton Klan Kosova.
Kurti ka thënë se e ka refuzuar këtë ftesë për arsye se sipas tij një takim i tillë do të legjitimonte një proces i cili po zhvillohet tërësisht në mungesë të respektit për qytetarët, institucionet dhe demokracinë e Kosovës.
“Takimi mes udhëheqësve të institucioneve dhe kryetarëve të partive parlamentare do të kishte kuptim nëse qeveria do të kishte përgatitur një platformë me kërkesa ndaj Serbisë, të cilën do të duhet ta paraqiste në Kuvend për të kërkuar miratimin e 2/3 të deputetëve. Veprimi i qeverisë pa platformë, apo me platformë që i mbahet fshehur Kuvendit, jo vetëm që e fyen demokracinë dhe ne si subjekt më i madh parlamentar, por e dëmton interesin kombëtar”.
“Përveç kësaj, si mund të marrim pjesë në një takim të përbashkët me një figurë si presidenti i Kosovës, i cili vetë mbështet një plan krejt tjetër, për ta paguar Serbinë me copëtim të Kosovës nën petkun e shkëmbimit territorial? Ne nuk mendojmë se Kosova i ka borxh Serbisë diçka, dhe nuk dëshirojmë që përmes pjesëmarrjes në takime të zbusim sado pak mungesën e legjitimitetit të atyre që kanë delegjitimuar vetveten. Njohja e Kosovës nuk është diçka që ne mund ta blejmë, atë mund ta fitojmë duke ndërtuar e forcuar shtetin, ekonominë dhe demokracinë”.
Kurti ka theksuar se për ta është problem edhe pjesëmarrja në një takim me një kryeministër i cili sipas tij nuk gëzon as legjitimitet demokratik e as autoritet popullor.

 

 

Comments