Haraçina në hall nga mbeturinat, banorët dhe komuna i hedhin fajin njëri-tjetrit

1,180

Haraçina në hall nga mbeturinat, banorët dhe komuna i hedhin fajin njëri-tjetrit

Kjo është një deponi e re e egër që është krijuar brenda një periudhë të shkurtër në dalje të Haraçinë, në rrugën magjistrale Shkup – Kumanovë. Në periferi të këtij vendbanimi janë disa deponi të tilla të egra, që njëherë u pastruan pas alarmimit nga televizioni 21, por tani ato sërish po stërmbushen me mbeturina.

Qytetarët ankohen se ato po dëmtojnë ambientin dhe me të edhe shëndetin e tyre. Ata fajin e shohin tek komuna dhe institucionet përgjegjëse për këtë çështje, transmeton Gazeta Express.

“Nuk punojnë, ja shiko mbeturina gjithandej, nuk ka pastërti, nuk ka kush të kujdeset për këto punë”.

“Janë të dëmshme. Duhet të hiqen por po shihni që tani për tani nuk kemi shtet, kur të drejtojmë shtetin atëherë i heqim s’ka problem, sa të shkon kështu tollovi njëherë s’ka zgjidhje”, thonë qytetarët.

Nga komuna e Haraçinës thonë se faji për këtë është i qytetarëve të papërgjegjshëm. Inspektoriati komunal disa herë ka kapur persona duke hedhur mbeturina ilegalisht dhe në disa raste edhe ka gjobitur ata.

Kryetari i kësaj komune, Brahim Ajvazi thekson se çështja e deponive do të rregullohet së shpejti.

“Kemi marr një shkresë që të emërohet një njeri nga ana e komunës për komunikim dhe punohet që komunat e qytetit të ndërtohet një deponi e përbashkët, ku do të bëhet riciklimi dhe grumbullimi i mbeturinave. Punohet në atë drejtim, jemi në kontakt në vazhdimësi”, tha ai, përcjell Gazeta Express.

Nga Ministria e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor thonë se përgjegjëse për deponitë janë vetë komunat, ndërsa ata nuk kanë asnjë kompetencë dhe përgjegjësi në lidhje me këtë problematikë.

Comments