Hyrja e Maqedonisë në BE, anketa: Është ulur në 77 për qind

272
Trendi shumëvjeçar në rënie e mbështetjes për anëtarësim në Bashkimin Europian në Maqedoni ka vazhduar edhe në vitin 2016, por gjithsesi mbështetja vazhdon të mbetet e lartë dhe arrin në 77%.
Sipas një sondazhi të Institutit për Demokraci “Societas Civilis”, në bashkëpunim me Fondacionin “Konrad Adenauer”, mbështetja i atribuohet pritjeve materiale dhe ekonomike të qytetarëve, por diskutabile mbetet çështja e emrit.
“Faktor kyç për uljen graduale të mbështetjes për anëtarësim në BE janë implikimet e identitetit, të cilat dalin nga kontesti me Greqinë rreth emrit. Bëhet fjalë për energji euroskeptike, sepse nëse hiqet kontesti për emrin, atëherë mbështetja sërish kthehet në afër 90 për qind”– deklaroi hulumtuesi në Institutin për demokraci “Societas Civilis”, Ivan Damjanovski.
“26.2% mendojnë se BE do të ishte aleati më i mirë i Maqedonisë, por interesante është fakti se në vend të dytë rradhitet Rusia, me 25%, dhe  me 17.5% mendojnë se aleat i mirë për Maqedoninë do të ishte ShBA. Ekziston dallim i konsiderueshëm mes dy grupeve më të mëdha etnike në Maqedoni lidhur me perceptimet e tyre për aleat më të mirë të jashtëm të Maqedonisë. Përqindja më e madhe e shqiptarëve e përkrahin BE-në me 32.2% dhe ShBA-në  me 28.3%,  derisa përqindja më e madhe e maqedonasve me 29.9 përqind propoyojnë Rusinë si aleat më të mirë të vendit”,– theksoi hulumtuesi në Institutin për demokraci “Societas Civilis”, Zoran Nacev.
Hulumtimi është zbatuar me anketë telefonike të bërë me 1.100 të anketuar në nëntor të vitit 2016, ndërsa trendet të cilat komentohen në analizë janë lidhur me hulumtimin metodologjik të njëjtë të zbatuar në vitin 2014.
Comments