Kosova feston Pavarësinë, nderohen të rënët, homazhe tek Adem Jashari

249
Kosova feston sot 9 vjetorin e Pavarurësisë. Gati një dekadë më parë, përmes një deklarate të nënshkruar nga deputetët e Kuvendit të saj, me përjashtimin e atyre serbë, Kosova u shpall shtet i pavarur dhe sovran, duke përmbushur kështu dëshirën më të madhe të shqiptarëve atje.
Ceremonitë zyrtare kanë nisur që dje, por mëngjesi i 17 shkurtit i gjeti drejtuesit më të lartë të vendit në Prekaz për të zhvilluar homazhe pranë varrit të komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari.
Prishtina ishte dekoruar kudo me flamujt e Kosovës, por kurrsesi nuk mungonin as ata kuq e zi. Në kohën kur ngritja e mureve kudo në botë është kthyer në frikën e shumëkujt, por dhe në qëllimin në vetvete të disa të tjerëve, Kosova në 9-vjetorin e Pavarësisë së saj ka dashur që nëpërmjet simbolit të saj, Nju-born, të tregojë se sot bota nuk ka nevojë për mure, barriera fizike apo ideologjike.
Që nga 17 shkurti 2008 e deri më tani, Kosova është njohur nga 113 vende të botës dhe është anëtarësuar në shumë organizata ndërkombëtare, por jo edhe në OKB. Edhe përkundër procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, Serbia e përsërit vazhdimisht se nuk do ta njohë kurrë Kosovën si shtet.
Në 9-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Presidenca e Kosovës ka marrë urime nga shumë presidentë të vendeve që e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës.
Më i veçanti dhe të cilin e publikoi presidenti, Hashim Thaçi, ishte urimi nga presidenti i ShBA-së, Donald Trump. “Kosova, ShBA-në e konsideron aleat të përjetshëm”.
Urime kanë mbërritur edhe nga mbretëresha Elizabeta II si dhe presidentja e Konfederates zvicerane, Doris Leuthard, e cila shprehu bindjen se besimi reciprok dhe miqësia mes dy shteteve do të thellohen akoma më shumë.
Urime shtetit të Kosovës i kanë dërguar edhe politikanët shqiptarë në Maqedoni.
Comments