
Ish-anëtari i LDK-së, Ali Lajçi, thotë se lideri aktual i kësaj partie, Isa Mustafa, është dashur të futej nën lustrim.
Kjo sepse, sipas Lajçit, Mustafa ka pasur rol politik dhe ekzekutiv në ish-Jugosllavi.
Duke thënë se ish-partia e tij ka denigruar, Lajçi, që thotë se tani është i pavarur, ka deklaruar në Interaktiv të KTV-së se nuk do të kthehet në LDK derisa aty është edhe Isa Mustafa.
“Mendoj se LDK ka denigruar si program dhe si strukturë. LDK nuk e shprehte atë autenticitetin e LDK-së dhe nuk kishte vizionin e LDK-së. Duket se tani është një program i një klani. Në LDK nuk mundem, sidomos derisa është Isa Mustafa. Jemi dy breza të anti-Republikë dhe Republikë, po nisemi shumë herët. Ka qenë në poste politike që nga 82-ta dhe i ka ndjek me program e ka pas rol ekzekutiv. Për mungesë të një ligji të lustrimit kanë mbetur këto gjëra. Ai duhet të hynte në lustrim. Duhet të kishim një ligj që përcakton kush ka pasur pozita ekzekutive a politike në nivele të komiteteve në diktaturë, se jo në demokraci sepse ndahet pushteti politik prej legjislativ. Atëherë nuk ishte i ndarë, por ky politik e ka udhëheqë edhe gjykatën. Ishte denigrim ardhja e Isa Mustafës si kryeministër i qeverisë”, ka thënë Lajçi.
I pyetur lidhur se me cilën parti mund të bashkohet në zgjedhjet e ardhshme Lajçi ka thënë se kjo është “çështje e hapur”.