
Prokuroria Speciale i zgjeroi hetimet për rastin “Titanik” për 17 persona, që akuzohen për parregullsi zgjedhore.
Këta persona kanë qenë të dyshuar edhe në hetimin e mëparshëm, por tani këta ngarkohen edhe me vepra tjera penale në të cilat ka edhe implikime financiare.
Prokuroria Speciale njoftoi se është ushtruar presion ndaj dëshmitarëve gjatë marrjes në pyetje lidhur me financimin e fushatës zgjedhore të VMRO-DPMNE-së në Ohër. PPS tha se do të ngrejë kallëzime penale ndaj personave që i kanë kërcënuar dëshmitarët.
“Vendosëm që dëgjimi të bëhet në Ohër që të mos kenë nevojë të vinë në Shkup. Nga 185 të ftuar, të dëgjuar deri tani janë 15 dëshmitarë. Ditën kur zbatohej hetimi u lajmëruam se ka protestë nga një parti e caktuar politike. Dua të potencoj se dëshmitarët nuk janë ftuar për shkak të anëtarësimit të tyre në parti të caktuara politike, por për shkak të ekzistimit të dyshimit, ose procedurës parahetimore. Pas mbledhjes me përfaqësuesit e partisë, nga personat pjesëmarrës në mbledhje janë dërguar kërcënime të caktuara për të cilat më vonë e lajmëruam edhe Ministrinë e Punëve të Brendshme”,- deklaroi prokurorja speciale, Lençe Ristovska.
Në Rastin “Titaniku”, të dyshuar për parregullsi zgjedhore janë ish-ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska, ish-ministri i Transportit, Mile Janakievski, sekretari i përgjithshëm i Qeverisë në vitin 2012, Kiril Bozhinovski, dhe kryetari i Pustecit, Edmont Temelko. Ata dyshohen se u kanë mundësuar shumë personave të votojnë në mënyrë të jashtëligjshme.

