Opozita dhe ‘çadra e lirisë’! – Nga Esard Mulaj

236
fresco

Në momentin që Republikës sone i mungojnë institucionet e lira, atëherë, duhet të kemi çadër të lirisë. Sot, ne kemi një opozitë që po proteston që prej 18 shkurtit në bulevardin kryesor të Tiranës, në mes të dy institucioneve, njëri më pak i lirë se tjetri, njëri më intrigant se tjetri.

Protesta e 18 shkurtit shënoi një rekord pjesëmarrjeje në historinë e protestave në këto njëzet e shtatë vite demokraci dhe pluralizëm, ngritja e një çadre në bulevard do të shfaqte simboliken e një tempulli të lirisë, ku çdo ditë i bashkohen qindra edhe mijëra qytetarë, për të dhënë kontributin e tyre me pjesëmarrje dhe duke komunikuar nëpërmjet mikrofonit mendimin e tyre, sepse këto lloj mundësish të dhurojnë tempujt e lirisë: të drejtë fjale, të drejtë zgjedhjeje.

Unë besoj në kauzën që ka ngritur opozita në atë çadër, besoj për shumë arsye dhe një ndër kryesorët është besueshmëria si një raport që opozita ka lidhur me qytetarin në këto vite.

Nëse kthehemi vetëm pak vite përpara në kohë, kujtojmë bojkotin parlamentar të opozitës me kërkesën për ligjin e dekriminalizimit. Të gjithë e përqeshen! Ajo fitoi! Argumentoi që mazhoranca ka një numër të lartë të inkriminuarish dhe deputetë që përfitojnë nga fonde publike, falë miratimit të ligjit të dekriminalizimit dhe epshit kriminal të disa deputeteve të atij lloji për të rënë në sy. Prokuroria vërtetoi akuzat e opozitës, i arrestoi, dhe në rastin e deputetit Kokedhima, iu hoq mandati për përfitim nga fondet publike. Beteja të fituara.

Në rastin e miratimit të reformës në drejtësi, opozita, sidomos kryetari Basha, këmbënguli shumë në mos-kapjen e drejtësisë, vuri në rrezik imazhin e tij politik, duke dalur hapur kundër ambasadorëve Lu dhe Vlahutin, por arriti të marrë përgëzimet e shumta të ndërkombëtare, edhe atë të kancelares Merkel.

Edhe kjo një betejë e fituar. Protesta e opozites, bazohet mbi kërkesën e sajë legjitime për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme me 18 qershor, sipas opozitës këto zgjedhje janë të kërcënuara nga faktorë të brendshëm në qeveri, edhe nga vetë qeveria.

Në bazë të argumenteve të opozitës, akuzave për të inkriminuar në grupin parlamentar të mazhorances, të inkriminuar në administratë, kanabizimit të republikës edhe qarkullimit të parave të pista, akuza këto të vërtetuara, mendoj dhe besoj se opozita ka të drejtë të frikësohet. Thirrjet “qeveri teknike” buçasin nga çadra e lirisë, që në këto ditë , vlen të theksohet sërish po merr përmasat e një tempulli. Por a është qeveria teknike zgjidhje?!

Unë mendoj që po, por me disa ndryshime. Shqipërisë i nevojitet një qeveri teknike që jo vetëm do të vëzhgojë procesin zgjedhor, por edhe një qeveri teknike që të ketë të drejtë vendimmarrje. Duhet të kemi një qeveri teknike ku, ministri i brendshëm teknik të ketë të drejtë të shkarkojë drejtorin e policisë dhe drejtori, drejtorë të policisë mbi bazë të informacioneve dhe fakteve kokëforta për ndikimin e tyre mbi zgjedhjet dhe përfshirjen në veprimtari kriminale të ndryshme.

Ambicia e ministrit të Brendshëm për postin e kryetarit të Partisë Socialiste, për t’u shpallur në këto kohë si hero në sytë e kryetarit të tij, apo dhe simpatizantëve socialistë do të angazhonte një polici të varur politikisht dhe banditizmi kriminal dhe policor do të terrorizonte votuesin gri, qytetarin edhe militantin e forcës tjetër politike, andaj unë mendoj se opozita është legjitime në kërkesën sajë dhe shpresoj që nga çadra e lirisë të dalin protesta të mëdha kombëtare si ajo e 18 shkurtit, protesta qytetare, që faktorizojnë opozitën në vëmendjen e ndërkombëtarëve dhe i japin frymë “shpresës së vdekur” të qytetarëve.

Comments