
ELBASAN– Një ngjarje e rëndë është regjistruar vetëm pak ditë para zgjedhjeve të 25 prillit. Pjerin Xhuvani ka mbetur i vrarë në Elbasan pasi është qëlluar me armë nga Arbër Paplekaj, shoqëruesi i kreut të listës së Partisë Demorkatike, Gazmend Bardhi. Paplekaj ka pranuar krimin duke thënë se ka qëlluar për vetëmbrojtje pasi u qëllua më parë nga persona që po blinin vota.
Policia e Shtetit bën me dije se gjatë një konflikti ka humbur jetën Pjerin Xhuvani dhe janë plagosur katër persona mes tyre një punonjëse policie e cila ka ndërhyrë në vendngjarje për të shuar krimin. Të plagosurit janë Emiljan Prenga 39 vjeç, Pavlo Vuksani 50 vjeç, Eltjon Bodinaku 32 vjeç dhe efektivja Xhensila Sota 27 vjeçe (punonjëse e policisë).
Report Tv ka sjellë pamjet vetëm pak çaste pas ekzekutimit, ku dëgjohen britmat e qytetarëve ndërsa përtokë ka mbetur për disa minuta trupi i pajetë i Xhuvanit. Në Elbasan mbërriti dhe kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, kreu i Policisë Kriminale, Tonin Vocaj, reparti RENEA dhe hetimet po ndiqen nga prokuroria e Elbasanit.

