Nga Julian Zyla
Në Shkup dhe qytete të tjera të Maqedonisë, mund të perceptohen dy lloj ndasish. Njëra e hershme, por në dobësim. Tjetra e kohëve të fundit dhe në pikun e saj. E para është ajo etnike (kryesisht) mes shqiptarëve dhe maqedonasve. E dyta ajo mes atyre që e mbështesin dhe atyre që urrejnë Nikola Gruevskin.
Gjesti i Presidentit Gjorge Ivanov, i cili refuzoi t’i jepte kundërshtarit të z. Gruevski, Zoran Zaev, mandatin për krijimin e qeverisë, është njëkohësisht përllogaritje e gabuar e gjendjes së këtyre ndasive si dhe përpëlitja e radhës e Gruevskit në agoni. Argumenti zyrtar i Presidentit Ivanov se platforma shqiptare është e papranueshme pasi është krijuar këtu në Tiranë nuk qëndron, pasi platforma ishte aty edhe kur Gruevski po tentonte të ndërtonte qeverinë me shqiptarët dhe refuzimi ndaj platformës ishte politik nga Gruevski e jo kushtetues nga Ivanov.
Përpëlitjet e Nikola Gruevskit nisën shumë kohë përpara zgjedhjeve, që pas skandaleve për korrupsion të publikuara nga partia e Zaevit. Por le të analizojmë lëvizjet e ish-kryeministrit pas rezultatit të zgjedhjeve. Së pari, me një entuziazëm të pajustifikuar nga rezultati, ai kërkoi menjëherë nga Ivanov mandatin për krijimin e qeverisë. Por, e dinte mirë që me vetëm 51 nga 120 mandate të parlamentit do t’i duhej patjetër ndihma e shqiptarëve. Kështu, shkoi sërish te ata, gjuhën e të cilëve premtoi gjatë fushatës se nuk do ta lejonte asnjëherë të bëhej zyrtare dhe e barabartë.
Gruevski u kthye te Ali Ahmeti si shpëtimtari i tij, sepse ndasia më e madhe nuk është mes shqiptarëve dhe maqedonasve, por mes atyre që i dhanë 51 deputetë dhe shumicës së Maqedonisë që votoi kundër tij. Ali Ahmeti, kryetari i BDI-së, negocioi deri në momentin e fundit, por meqenëse Gruevski nuk mund ta kënaqte deri në kundërshtim të ideve të votuesit të tij mesatar, Ahmeti e shoqëroi drejt skadimit të afatit kushtetues për krijimin e qeverisë. Këtu erdhi përpëlitja e dytë pas zgjedhore e Gruevskit: ai kërkoi zgjedhje të reja, edhe pse kushtetuta parashikon që partia e dytë me më shumë vota të mund të kërkojë mandat për krijimin e kabinetit. Pas 51 mandateve të VMRO-DPMNE, u rendit LSDM-ja e Zaevit me 49. Ky i fundit nuk u nxitua të kërkonte mandatin pa arritur një marrëveshje me shqiptarët.
Marrëveshja mes partive shqiptare dhe LSDM-së, me kalimin e ditëve, dukej se po afronte. Kështu, ia behu edhe lëvizja e tretë e dëshpëruar e Gruevskit. Ai i bëri thirrje kundërshtarit të tij, Zoran Zaev ta krijonin qeverinë së bashku, kundër platformës shqiptare. Por, zoti Zaev jo vetëm që nuk kishte bërë fushatë anti-shqiptare, por kishte joshur elektoratin shqiptar me dy kandidatë e me shumë premtime. Përpëlitja e radhës e Gruevskit dështoi. Marrëveshja me partitë shqiptare e Zaevit u bë realitet dhe u konfirmua nga të gjitha palët e përfshira. Me pjekurinë e kushteve dhe numrave, Zaev shkoi te Gjorge Ivanov, presidenti i Maqedonisë i emëruar gjatë mandatit të Gruevskit. Tashmë agonia e ish-Kryeministrit kaloi zyrat e partisë së tij. Ishte koha që të përdorte kartën Ivanov dhe Rusinë. Presidenti shpalli platformën e partive shqiptare cenim për sigurinë kombëtare, nën justifikimin se ishte ndërtuar në një shtet të huaj, ndërsa kjo deklaratë u përsërit si e vlefshme nga Rusia e Vladimir Putin. Partitë shqiptare thonë se platforma vetëm u firmos në Tiranë, por u krijua në Shkup. Kjo përpëlitje e radhës e Gruevskit, e përcjellë nga Ivanov, nuk do të sjellë rezultat, sepse perëndimi është kundër, sepse Maqedonia është kundër tij. Kështu, deklaratat nga vendet perëndimore nuk vonuan, përfshi Gjermaninë, Parlamentin Europian dhe vetë Mogherinin, e cila vizitoi vendin dhe bëri thirrje që të mblidhej parlamenti i ri, ku shumica është e dakordësuar kundër Gruevskit.
Parlamenti i ri do të mund të procedojë drejt krijimit të shumicës dhe të qeverisë edhe pa bekimin formal të Ivanov. Gruevski mund të zgjedhë nëse do të vazhdojë të lëshojë valë të tjera nga agonia e tij. Por ai nuk mund të ndryshojë faktin që nuk janë shqiptarët më të urryerit në Maqedoni, por ai.