

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump dhe homologu i tij rus Vladimir Putin diskutuan për t’i dhënë fund dhunës në Siri, të martën, në bisedën e tyre të parë telefonike pas sulmeve amerikane në Siri, të cilat tensionuan marrëdhëniet ndërmjet SHBA-ve dhe Rusisë.
Shtëpia e Bardhë njoftoi se të dy liderët u pajtuan se të gjitha palët duhet të bëjnë gjithçka që munden për t’i dhënë fund dhunës në Siri, dhe se Trump dhe Putin po ashtu diskutuan për të punuar së bashku kundër militantëve islamikë në Lindjen e Mesme.
“Biseda ishte shumë e mirë dhe përfshiu diskutimin e një zone të sigurt, ose të de-eskalimit, për të arritur paqen e qëndrueshme për arsye humanitare dhe të tjera”, thuhet në njoftim, shkruan Reuters, transmeton Klan Kosova.
Putin dhe Trump biseduan edhe për bashkëpunimin në luftën kundër terrorizimit në Lindjen e Mesme dhe për të zgjedhur në mënyrën më të mirë situatën e rrezikshme në Korenë Veriore.