
Në këtë video paraqitet Shqipëria në vitet ’33-’36 ,ku ka pamje të cilat nuk janë parë më herët.
“Ne u ngjitëm sipër te kulla e Skënderbeut dhe aty takuam një grup priftërinjsh, të cilët po ktheheshin…”, – fillon një dokumentar për Shqipërinë në vitin 1933. Më tej, vizita vijon në pazarin shekullor të Krujës… Kjo është një prej dy videove të rralla që po ua ofron Konica.al. Në videon e parë prej 07.50, tregohet një vizitë në zemër të Shqipërinë historike (Krujën e Skënderbeut) dhe Mbretin Zogu i I-rë në vitin 1933, krahas ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipërinë e atyre viteve (1930-1933), njëherazi gazetarit, novelistit dhe aktivistit hebre, Herman Bernstein (21 shtator 1876 – 31 gusht 1935). Në përfundim të misionit të tij në Shqipëri, Bernstein u dekorua nga Mbreti Zog I-rë me “Urdhrin e Skënderbeut”. Video është pjesë e arkivit të Institutit të Kërkimeve Hebraike në Nju Jork. Më tej në video shihen imazhet e fshatarëve me karro, ndërsa në të djathtë shinat e trenit, e si për ironi me mbishkrimin “Vagonët e pambuluar”. Vijon me pamjet e pazarit të kohës, shëtitjet e Mbretit Zog me ambasadorin amerikan Bernstein si dhe takimet e tij, duke e përmbyllur sërish me pamjet e Krujës “së djeshme”. Në pjesën e dytë, një dokumentar i rrallë në anglisht, që tregon jetën e shqiptarëve në vitin e largët 1936, (me kohëzgjatje 06.25), e njëherazi Mbretërinë Shqiptare dhe trupat e Xhandërmarisë në parakalim, (përballë forcës së Musolinit) me mbishkrimin “Për 20 vite Mbreti Zog ka luftuar fort për të ruajtur Pavarësinë Shqiptare”, duke përshkruar kësisoj një pjesë të historisë së Shqipërisë me fqinjët, zakonet dhe doket e shqiptarëve; martesa, takimet e ushtarakëve, festimet e Pavarësisë, spartakiadat apo problemet shqiptare të kohës, për të cilin arkivi “The March of Time” e përmbyll me: “Për 20 milionë dollarë Zogu ia dorëzon Shqipërinë, Musolinit”.
|