Miley Cyrus hap plagët e vjetra, a janë përsëri për Liam-in?

Një tjetër faqe e ndjeshme po i shtohet historisë muzikore të Miley Cyrus. Artistja 32-vjeçare, fituese e Grammy-t, ka publikuar këngën e re “More to Lose”, pjesë e albumit të shumëpritur Something Beautiful që pritet të dalë, më 30 maj.
Klipi? Minimalist, bardh e zi, por me ndjenjë të thellë.

Në sekondat e para, Miley derdh lot. Nuk është thjesht performancë – është emocioni i zhveshur, i drejtpërdrejtë.
Në mesin e videos, ajo shfaqet me një fustan elegant pa rripa, ndërsa në fund mbështillet me një pallto të zezë dhe një kapuç që na kujton… Batman-in.
“More to Lose” nuk është një këngë që kërkon të bërtasë, por të prekë. Dhe ja ku ia del.
E shkruar dhe prodhuar nga një ekip i fuqishëm (Autumn Rowe, Michael Pollack, Shawn Everett, BJ Burton dhe të tjerë), kënga i bashkohet listës së projekteve të fundit: “Prelude”, “Something Beautiful” dhe “End of the World”.
Spekulimet për tekstin janë të shumta – disa fansa janë të bindur se është një kapitull i pazgjidhur për Liam Hemsworth, por Miley, si gjithmonë, flet me metafora, jo me emra.