Radioterapia Stereotaktike: Kirurgjia pa dhimbje dhe roli vendimtar i fizikës mjekësore

326
fresco

Kjo teknologji inovative u jep shpresë pacientëve duke përdorur rreze të përqendruara me doza të larta për të trajtuar tumore të vegjël dhe ndryshime anormale në tru apo në pjesë të tjera të trupit, me saktësi maksimale

MSc. Fesal Selimi, PhDc.
Ekspert i Fizikës Mjekësore; Ekspert për Mbrojtje nga Rrezatimi

Imagjinoni sikur një tumor ose një problem serioz në tru të trajtohej pa operacion klasik, pa dhimbje dhe pa javë të tëra shërimi neper spitale. Sot kjo është e mundur falë Radioterapisë Stereotaktike (SRS), një metodë moderne që përdor rrezatim të fokusuar për të shkatërruar qelizat e sëmura, duke ruajtur indet e shëndetshme.

Kur kirurgu zëvendësohet nga rrezet

Radioterapisë Stereotaktike (SRS) nuk është kirurgji invazive. Në vend të saj përdoren rreze shumë të fuqishme që përqendrohen në një pikë të saktë të trurit me precizitet milimetrik. Kjo teknikë përdoret për tumore të trurit (beninje dhe malinje) që janë më të vegjël se 3cm.

Procedurë e thjeshtë, rezultat i madh

Pas ekzaminimeve të avancuara si MRI dhe CT, pacienti përgatitet me kujdes për CT Simulim, pastaj imazhet fuzionohen me precizitet të lartë, dhe më pas Onkologu i konturon zonat që duhen trajtuar.

Fizikani mjekësor harton planin më të përshtatshëm, ndërsa trajtimi kryhet në aparatura moderne e të specializuara, si Gamma Knife apo Linac.

Seanca zgjat vetëm disa minuta deri në një orë, dhe në shumicën e rasteve pacienti kthehet në shtëpi i qetë dhe i sigurt që po atë ditë.

Fizikani mjekësor – arkitekti i padukshëm i trajtimit

Në qendër të gjithë procesit qëndron fizikani mjekësor. Ai është personi që:

▪ Përgatit planin e rrezatimit për çdo pacient.
▪ Kontrollon dhe kalibron pajisjet që çdo rreze të shkojë aty ku duhet.
▪ Siguron mbrojtjen e indeve të shëndetshme.
▪ Bashkëpunon me mjekët për një trajtim të personalizuar dhe të sigurt.

Pa këtë profesionist, asnjë trajtim me SRS nuk mund të realizohet me sukses.

Syri i padukshëm i precizitetit

Radioterapia Stereotaktike është një arritje madhore e mjekësisë moderne. Ajo ofron jetë, shpresë dhe alternativa të reja për pacientë që dikur nuk kishin mundësi tjetër për trajtim. Por suksesi i saj nuk vjen vetëm nga teknologjia, por nga eksperti i fizikës mjekësore, i cili është syri i padukshëm që garanton precizitet, siguri dhe rezultate.

Comments