Drejtori ekzekutiv i bursës së kriptovalutave me urdhër të prerë për punonjësit: Përdoreni inteligjencën artificiale ose shkoni në shtëpi

Drejtori ekzekutiv i bursës së kriptovalutave Coinbase, Brian Armstrong, zbuloi se disa inxhinierë u pushuan nga puna sepse nuk donin të përdornin mjete të inteligjencës artificiale, edhe pse kompania ofroi licenca zyrtare për GitHub Copilot dhe Cursor.
Armstrong u tha punonjësve nëpërmjet një kanali të brendshëm në Slack, se të gjithë duhet të identifikohen të paktën në mjetet e inteligjencës artificiale deri në fund të javës.
“Nuk keni pse t’i përdorni ato çdo ditë derisa të ofrojmë trajnime shtesë, por pres që të gjithë të identifikohen. Nëse nuk e bëni, kemi një takim të shtunën”, shkroi ai, transmeton Telegrafi.
Në atë takim, disa punonjës e justifikuan mungesën e tyre me pushime ose udhëtime pune, por ata që nuk kishin një arsye të vlefshme u pushuan menjëherë nga puna.
Armstrong më vonë pranoi se kjo qasje ishte “shumë vendimtare”, por se mesazhi duhej të ishte i qartë – në Coinbase, inteligjenca artificiale nuk është opsionale.
Qëllimi i kompanisë është që 50 përqind e kodit të saj të gjenerohet nga inteligjenca artificiale deri në fund të tremujorit (aktualisht, kjo përqindje është rreth 33).
Janë prezantuar edhe ngjarje të rregullta të quajtura “AI Speed Runs”, ku ekipet demonstrojnë mënyra të suksesshme për të përdorur mjetet e AI-së, nën mbikëqyrjen e ngushtë njerëzore – gjë që është veçanërisht e rëndësishme në industrinë financiare.
Reagimet në industri janë të ndara: ndërsa disa e shohin veprimin e Armstrong si agresiv dhe autoritar, të tjerë besojnë se është një hap i pashmangshëm për ta mbajtur kompaninë konkurruese.