Vajza kolumbiane që u trafikua në Shqipëri

239
fresco

Andrés, vajza kolumbiane që u trafikua në Shqipëri, ia doli të kthehej në shtëpinë e saj në Kolumbi. Por çfarë mësuam nga kjo histori?

Një muaj më parë u vumë në kontakt nëpërmjet medias me Andrés, një vajzë e re kolumbiane e cila kishte ardhur në Shqipëri me premtimin për të punuar në punë të rregullt si kujdestare fëmijësh, por ra pre e një grupi ndërkombëtar trafikimi të qënieve njerëzore, ku u mbajt e mbyllur dhe u shfrytëzua, kundër dëshirës së saj, për disa ditë në qytetin e Elbasanit. Një pjesë e grupit që trafikonte Andrés u arrestua, duke bërë që ajo të vuajë dënimin prej 9 muajsh në burgun e grave në Pogradec, me akuzën për kryerjen e veprës penale “Prostitucion”, pavarësisht se ishte mashtruar dhe shfrytëzuar në Shqipëri për llogari të një grupi kriminal shfrytëzimi të qenieve njerëzore.

Pavarësisht pretendimeve të saj se ishte shfrytëzuar dhe provave në telefonin e saj, Andrés e kreu dënimin dhe doli nga burgu në korrik të këtij viti.

Problematika tjetër që has pas lirimit nga burgu ishte marrja e sendeve të sekuestruara, përfshirë pasaportën, me të cilën mund të kthehej në familjen e saj në Kolumbi. Sipas procedurave të shtetit shqiptar, Andrés mund të merrte pasaportën e sekuestruar, vetëm pasi vendimi i Gjykatës të merrte formë të prerë, domethënë 2-3 javë pas lirimit të saj nga burgu. E gjendur pa asnjë mjet identifikimi, pa asnjë të ardhur financiar dhe pa e njohur Elbasanin dhe Shqipërinë, Andrés u përball sërish me mundësinë për t’u trafikuar dhe për të qenë gjithashtu subjekt dhe kryer veprën penale të “Prostitucionit”.

Comments