Një mësuese është therë me thikë, i dyshuari raportohet se është nga Kosova
Një mësuese është sulmuar me thikë në një shkollë profesionale në Esen, në perëndim të Gjermanisë. Mediat gjermane raportojnë se sulmuesi i dyshuar – nxënës në këtë shkollë – është nga Kosova, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Mësuesja ka pësuar lëndime të rënda në stomak, por sipas autoriteteve është jashtë rrezikut për jetë.
Nuk ka persona të tjerë të plagosur në shkollë dhe hetuesit besojnë se mësuesja u shënjestrua qëllimshëm.
Mediat në Gjermani raportuan se sulmuesi i dyshuar, 17-vjeçar, iku nga shkolla pasi sulmoi mësuesen. Ai më pas u lokalizua nga policia në një park.
Teksa policia iu afrua që ta arrestonte, sipas Dpa dhe Bild, i dyshuari vrapoi drejt tyre me thikë në duar dhe policia e qëlloi me armë zjarri.
Sulmuesi i dyshuar është duke u trajtuar në spital pas plagëve të marra.
Në shkollën profesionale në Esen janë parë numër i madh i policisë, përfshirë edhe të njësive speciale.
Një zëdhënës i qytetit tha se shkolla profesionale ka rreth 1.780 nxënës.
Sipas ueb-faqes së shkollës, ky institucion ofron kurse për fushën e ushqimit dhe ekonomisë shtëpiake, si dhe të kujdesit shëndetësor.

