Opozita kërkon dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm Pançe Toshkovski pas ngjarjes së rëndë në Veles, ku 31-vjeçarja dhe babai i saj u vranë nga ish partneri i saj. Sipas LSDM-së, tragjedia mund të ishte shmangur nëse policia do të kishte reaguar në kohë.
“Pas një tragjedie në Veles që mund të ishte parandaluar, këtu, para Ministrisë së Brendshme, kërkojmë shkarkimin e menjëhershëm të gjithë SPB- Velesit dhe përgjegjësi nga Pançe Toshkovski. Dënimi dhe përgjegjësia për këtë rast nuk janë çështje politike, por të normave njerëzore dhe etike. Gruaja kërkoi vazhdimisht mbrojtje, raportoi kërcënime, dhunë, vjedhje, sipas disa mediave, mbi 70 herë. Policia e dinte, shërbimet sociale e dinin, institucionet nuk lëvizën as me gisht”, tha Zana Xhaferovska- Forumi i grave i LSDM-së.
Ministria e Brendshme thotë se stacioni policor i Velesit ka regjistruar 11 raste në të cilat ata vepruan sipas denoncimeve dhe disa prej tyre i janë dërguar prokurorisë së qytetit. Herën e fundit, viktima ka qenë për bisedë në stacionin policor sepse personi i denoncuar nuk e ka respektuar ndalesë.
“Më 07.07.2025 në orën 13:00, R.K. u thirr në stacionin policor të Velesit, pas një urdhri të lëshuar nga Prokuroria Publike, ku ajo denoncoi se I.S. nga Shkupi nuk e kishte respektuar urdhrin e ndalimit. Në SPB Veles ka dorëzuar dëshmi materiale në lidhje me denoncimin kurse SPB Veles materialin e ka dorëzuar në Prokurori”, thonw nga MPB.
Megjithatë, as policia e as Prokuroria e Velesit nuk u përgjigjën pse nuk kishte epilog për këto denoncime dhe a do të kryhet hetim i brendshëm në institucione kundër zyrtarëve që vepruan sipas denoncimeve në fjalë. Ndërkohë, rasti shkaktoi revoltë publike kurse qytetarët e organizuar përmes rrjeteve sociale njoftuan protestë për nesër në Shkup. / Alsat.mk

