“Asnjë Më Shumë” – Protesta për Vrasjen e Rosica Kocevas dhe Babait të Saj

225
fresco

“Asnjë më shumë”. Me këtë moto qytetarë e përfaqësues të disa Organizatave protestuan para Ministrisë së Brendshme dhe Kuvendit për të kërkuar përgjigje nga Institucionet për vrasjen e 31-vjeçares Rosica Koceva nga Velesi si dhe babait të saj nga ish-partneri i cili më pas kreu vetëvrasje.

Qytetarët kërkuan përgjigje pse policia nuk kishte vepruar sipas denoncimeve për dhunë para se të ndodhte vrasja dhe dërguan mesazhin se kjo duhet të jetë mësim dhe ky rast kurrë më të mos përsëritet. Qytetarët kërkuan që autoritetet të miratojnë strategji për edukimin e qytetarëve me qëllim që të veprohet në mënyrë parandaluese.

Emri i Ilija Stefanoskit, që vrau ish-partneren, babain e saj, e më pas edhe veten kishte kaluar disa herë nëpër duart e drejtësisë. Ai më herët ishte shpallur fajtor për kërcënime dhe dhunë ndaj ish partneres, por gjykata i kishte shqiptuar vetëm dënim me kusht. Viktima kishte denoncuar disa herë edhe për shkelje të vendimeve gjyqësore, mesazhe kërcënuese, ndjekje pranë shtëpisë e madje edhe djegie të makinës së babait të saj. Por, pavarësisht dosjes së tillë, makthi i viktimës përfundoi tragjikisht me dy jetë të shuara dhe vdekjen e autorit. /Alsat.mk

Comments