Bajram Rexhepi me fushatë model për Tetovën: “Bashkë për Tetovën” po vendos standard të ri në politikë

Kandidati i Aleancës për Komb dhe Integrim (AKI) për komunën e Tetovës, Bajram Rexhepi, në kuadër të zgjedhjeve lokale të 19 tetorit, po zhvillon një fushatë që nga shumëkush po vlerësohet si një model i ri në skenën politike lokale.
Rexhepi ka fokusuar fushatën e tij në çështjet më të ndjeshme dhe nevojat më të thella me të cilat përballen çdo ditë qytetarët e Tetovës. Qasja e tij direkte dhe e afërt me komunitetin tregon një njohje reale dhe të thelluar të problematikave që prekin përditshmërinë e qytetarëve.
Nga informacionet dhe fotografitë që kanë mbërritur në redaksinë e FaktiDitor, shihet qartë një pritje pozitive nga qytetarët, të cilët shprehen të kënaqur dhe të vlerësuar nga kontakti i drejtpërdrejtë që kanë me kandidatin e AKI-së. Të shumtë janë ata që theksojnë se një qasje e tillë është e rrallë në fushatat zgjedhore në vend.
Fushata e Rexhepit, e zhvilluar nën moton “BashkëPërTetovën”, ka karakter thellësisht personal dhe përfshirës. Ai po zhvillon takime derë më derë me banorët, duke i dëgjuar nga afër dhe duke u zotuar se, nëse merr besimin e tyre në 19 tetor, do të angazhohet për të ofruar zgjidhje konkrete për sfidat që ata përmendin.
Përmes kësaj forme të komunikimit të drejtpërdrejtë dhe transparente, Rexhepi po përpiqet të rrisë vetëdijen qytetare për rolin që ata kanë në proceset vendimmarrëse lokale. Në të njëjtën kohë, kjo fushatë shihet si një përpjekje serioze për të vendosur një standard të ri në politikën shqiptare në Maqedoninë e Veriut – një politikë që vendos qytetarin në qendër.