
Departamenti i Thesarit i Shteteve të Bashkuara ka dhënë një licencë speciale me të cilën i ka shtyrë sanksionet e plota ndaj kompanisë së naftës me pronësi ruse në Serbi, NIS, duke lejuar që operacionet e saj të vazhdojnë deri më 8 tetor, njoftoi vetë kompania të mërkurën.
Kompania NIS e menaxhon rafinerinë e vetme të naftës në Serbi, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Zyra e Kontrollit të Aseteve të Jashtme e Departamentit të Thesarit fillimisht kishte vendosur sanksione ndaj sektorit të naftës së Rusisë më 10 janar dhe i kishte dhënë kompanisë “Gazprom Neft” 45 ditë afat për të hequr dorë nga pronësia e NIS-it.
NIS-i – në të cilin kompania “Gazprom Neft” ka 44,9 për qind të aksioneve, e operon rafinerinë e vetme në Serbi, në qytezën Pancevo, afër Beogradit.
Kjo rafineri ka kapacitet vjetor prej 4,8 milionë tonësh dhe i mbulon shumicën e nevojave të Serbisë. Sanksionet ndaj saj do të mund ta vinin në rrezik furnizimin me naftë të papërpunuar nga kompania kroate “Janaf”.
Edhe kompania “Janaf” tha në një deklaratë të mërkurën se kishte licencë për të transportuar naftë të papërpunuar për NIS-in deri më 8 tetor.