E çuditshme: Hekuran Murati dhe VV-ja ende nuk e komentojnë konstatimin e Kushtetueses se Kuvendi nuk është konstituuar

294
fresco

Lëvizja Vetëvendosje ende nuk e ka komentuar njoftimin e djeshme të Gjykatës Kushtetuese ku tregohet se Kuvendit i Kosovës nuk mund të konsiderohet si i konstotuuar pa zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb.

Ndonëse kanë kaluar afro 24 orë nga momenti i publikimit të njoftimit të Kushtetuese askush nga zyrtarët e lartë të VV-së nuk e ka thënë asnjë fjalë.

Madje, konstatimin e Kushtetuese nuk e ka komentuar as deputeti Hekuran Murati, i cili gjatë ngërçit politik ka marrë rolin e “ekspertit kushtetues”, duke komentuar çdo aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese.

Deri me tani kanë heshtur edhe ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ushtruesi i detyrës së ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu.

I vetmi që ka folur për këtë çështje është deputeti Arbër Rexhaj.

Në emisionin “Politiko”, ai ka thënë se aktgjykimi i Kushtetueses është skandaloz.

Unë mendoj se është vendim skandaloz. Sepse atë që e kam thënë edhe më parë, siç duket po shkojmë drejt një vetoje të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, ku Lisat Serbe do të jetë vendimtare edhe në të ardhmen për të vendosur a konstituohet Kuvendi apo jo”, ka thënë Rexaj.

Çka tha Kushtetuesja?

Gjykata Kushtetuese dje ka publikuar dispozitivin e aktgjykimit të tretë në lidhje me krizën politike në vend.

Ajo ka njoftuar se kërkesa e Listës Serbe është vlerësuar si e pranueshme, duke vlerësuar se Kuvendi i Kosovës nuk mund të konsiderohet i konstituuar pa zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb.

TË KONSTATOJË, që Seanca Konstituive e Kuvendit, e filluar me 15 prill 2025 nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, dhe Kuvendi nuk është konstituuar në pajtim me përcaktimet e paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafët 1 dhe 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, ka njoftuar Kushtetuesja, duke iu treguar deputetëve se si të veprohet.

TË URDHËROJË, që Seanca Konstituive e Kuvendit të përfundojë brenda afatit të përcaktuar me paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe sipas Aktgjykimit të Gjykatës në rastet KO193/25 dhe KO196/25, përkatësisht brenda afatit të mbetur prej 12 (dymbëdhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij Aktgjykimi; TË URDHËROJË, të gjithë deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që në pajtim me nenin 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], nenin 7 [Vlerat], paragrafin 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] dhe nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që gjatë procedurës së zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit;”, është thënë në njoftim.

Më pas, jepen edhe disa detaje tjera.

TË VAZHDOJË, masën e përkohshme, e cila ka hyrë në fuqi nga data 5 shtator 2025, deri në hyrjen në fuqi të këtij Aktgjykimi; T’UA KUMTOJË këtë Aktgjykim palëve; TA PUBLIKOJË këtë Aktgjykim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 (Vendimet) të Ligjit Nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës; TË KONSTATOJË që ky Aktgjykim hyn në fuqi në ditën e publikimit nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës dhe njoftimit të palëve, përveç pikës V të dispozitivit, e cila hyn në fuqi menjëherë”, është thënë në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Comments