Dimri troket: Kodra e Diellit dhe Mavrova nën borë

110
fresco

Ulja e temperaturave gjatë 24 orëve të fundit ka sjellë edhe reshjet e para të borës në vendet malore. Bora mbuloi sot Mavrovën dhe Kodrën e Diellit

Temperaturat dimërore thuajse të pazakonta për këtë periudhë do të na shoqërojnë edhe të premten. Nga Enti hidrometeorologjik thonë se në fundjavë moti do të jetë i ndryshueshëm me periudha me diell dhe me temperaturë maksimale deri në 18 gradë.

“Edhe pse këto ditë kemi një tetor dimëror, moti nuk do të qëndrojë kështu, temperaturat e mëngjesit do të ulen ndjeshëm, duke filluar nga zero në 7-8 gradë, por temperaturat e ditës nga fillimi i seancës tjetër do të jenë në një rritje të lehtë. Kjo valë e ftohtë do të zgjasë vetëm deri në fund të fundjavës. Deri në mesin e javës së ardhshme, temperaturat e ditës mund të jenë maksimale 20 gradë, por temperaturat e mëngjesit do të mbeten të ulëta sepse është ende vjeshtë dhe do të jetë ftohtë në mëngjes”, tha Marija Cvetkovska Atanasova, sinoptike.

Qytetarët që anketuam për Alsat thanë se moti i ftohtë nuk është befasi në stinën e vjeshtës. Disa prej tyre theksuan se tashmë kanë vënë në përdorim edhe pajisjet për ngrohje.

“Jam e përgatitur për të gjitha stinët e vitit. Ngrohemi me rrymë, është më ekologjike dhe më pastër mirëpo është më shtrenjtë. Në mëngjes nuk ishte kaq ftohtë, tash po e ndjej më shumë prandaj do ta lëshoj ngrohjen”, tha një qytetare.

“Mendoj se e ka kohën dhe duhet të jetë ftohtë. Ngrohemi me rrymë, dje e lëshova pak ngrohjen besoj që edhe sot po”, u shpreh një qytetare.

“Akoma nuk jemi përgatitur por do të bëhet. Nuk është herët për këtë të ftohtë, e ka kohën”, shtoi një qytetare.

Mot i ngjashëm, madje edhe me reshje bore në vendet malore ka përfshirë edhe Kosovën dhe Shqipërinë. Sipas sinoptikëve atje, temperaturat dimërore do të përfundojnë në fundjavë për t’u rikthyer temperaturat mbi 20 gradë celsius.

Comments