
Strugë, 2 tetor – Arsim Dalipi ka prezantuar kandidaturën e Armend Recit për Këshillin Komunal në Strugë, duke e cilësuar atë si një prej zërave të rinj me vizion dhe përkushtim për qytetin.
Armend Reci është mjek i diplomuar në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë, kryetar i FRASH – Strugë dhe i lindur e rritur në Veleshtë. Me formim profesional dhe përvojë të gjerë në aktivizmin rinor, ai shihet si përfaqësues i energjisë së re që kërkon Struga në politikën lokale.
Sipas Dalipit, Reci do të jetë zëri i rinisë, i përfaqësimit të ndershëm dhe i guximit qytetar. Ai sjell në politikë frymën e angazhimit, kritikës konstruktive dhe përkushtimit të palëkundur ndaj struganëve.
“Veleshta ka rritur breza të ndërgjegjshëm dhe të arsimuar, dhe ky potencial duhet të përfaqësohet nga njerëz që e njohin realitetin e të rinjve dhe që i japin prioritet zhvillimit të drejtë. Politika duhet të jetë e hapur, e guximshme dhe e ndërtuar mbi nevojat e qytetarëve”, theksoi Dalipi, duke vlerësuar vizionin e Recit.
Me moton “Bashkë për Strugën”, Armend Reci paraqitet si një kandidat vizionar që synon një qytet ku rinia nuk është spektatore, por aktore e së ardhmes, duke i dhënë politikës përgjegjësi dhe transparencë të re.