“Fantazma e Gazës”: Kush është njeriu që po përcakton të ardhmen e palestinezëve

310
fresco

Izz al-Din al-Haddad (ose Ezz al-Din al-Haddad), i njohur gjithashtu si “Abu Suhaib”, është sot një nga figurat më kontraverse, por njëkohësisht më të rëndësishme brenda Hamasit. Për dekada me radhë ai ka qëndruar larg vëmendjes publike, duke ndërtuar një reputacion si një komandant ushtarak enigmatik dhe i padukshëm.

Kjo prani minimale në publik dhe profili i tij i ulët i kanë sjellë nofkat si “Fantazma” apo “Hija e al-Qassam”. Zgjedhja e qëllimshme për të vepruar në hije, por për të qenë njëkohësisht thellësisht i përfshirë në strukturat komanduese të Hamasit, e ka kthyer atë në një figurë thuajse mitike në imagjinatën kolektive të organizatës.

Nga vijat e frontit deri në majë:

Karriera e tij nisi në nivelet më të ulëta të hierarkisë ushtarake. Me kalimin e kohës, ai u ngjit në poste komanduese në kompani, batalione dhe më vonë në brigada. Një moment kyç ndodhi në vitin 2021, kur u emërua komandant i Brigadës së Qytetit të Gazës.

Në atë kohë, Hamasi po përpiqej të rindërtonte forcat e tij luftarake, dhe komandimi i al-Haddad konsiderohej thelbësor për ruajtjen e kohezionit të brendshëm. Pas vrasjes së synuar të Ahmad al-Ghadour në nëntor të 2023, ai mori kontrollin edhe mbi Rripin Verior të Gazës, duke zgjeruar autoritetin e tij në një nga zonat më të ndjeshme të konfrontimit me Izraelin.

Në vitin 2025, pas një serie sulmesh të suksesshme izraelite që shkatërruan udhëheqjen e linjës së ashpër të Hamasit, përfshirë dhe Yahya Sinëarin – al-Haddad u shfaq si udhëheqësi ushtarak kryesor i Hamasit në Gaza.

Roli në 7 tetor:

Sipas vlerësimeve izraelite dhe perëndimore, al-Haddad ishte një nga arkitektët kryesorë të sulmit të 7 tetorit 2023, të cilin Hamasi e quajti “Kataklizma e Al-Aksës”. Ky operacion kishte për qëllim kryesor rrëmbimin e pengjeve dhe transferimin e tyre në Gaza, një strategji që shërbente si levë presioni.

Pikërisht ky plan, si dhe mënyra e përzgjedhjes së pjesëmarrësve në operacion, i dhanë al-Haddadit një reputacion të shtuar brenda Hamasit, duke rritur peshën e tij politike dhe ushtarake në enklavë.

Që nga ajo kohë, ai ka luajtur një rol kyç në menaxhimin e të burgosurve, si përmes mbikëqyrjes së drejtpërdrejtë, ashtu edhe përmes urdhrave ekzekutivë.

Komandant në hije:

Aftësia më e spikatur e al-Haddadit është padyshim mjeshtëria për të mbetur i padukshëm. Ky tipar thuhet se është trashëguar nga Sinwari, të cilin ai e pasoi pas vdekjes së këtij të fundit nga një njësi izraelite në Rafah, në tetor 2024.

Ai ndryshon vazhdimisht pamjen, lëviz me fshehtësi të plotë dhe ndjek rregulla shumë strikte sigurie. Kjo ka bërë që t’u shpëtojë të paktën gjashtë përpjekjeve për vrasje nga ana e Izraelit. Përveç kësaj, zotëron rrjedhshmëri në gjuhën hebraike, një aftësi që e bën të vlefshëm si në marrjet në pyetje, ashtu edhe në operacione psikologjike ndaj të burgosurve.

Shërbimet izraelite të sigurisë e konsiderojnë atë si një nga objektivat më të rëndësishëm dhe kanë vendosur një shpërblim të konsiderueshëm për informacione që çojnë në kapjen e tij. Shuma zyrtare nuk dihet, por raportohet se i afrohet 1 milion dollarëve, me 750 mijë të konfirmuara jozyrtarisht nga qarqe të inteligjencës izraelite.

“Njeriu kyç” i Hamasit:

Pas humbjeve të rënda në strukturën drejtuese, Hamasi po përpiqet të funksionojë në mënyrë më kolektive. Në këtë kontekst, al-Haddad ka marrë rolin e “figurës kyçe” në Gaza. Ai kontrollon operacionet ushtarake dhe ka një ndikim të drejtpërdrejtë në procesin e negociatave me ndërmjetësuesit ndërkombëtarë.

Reputacioni i tij si një udhëheqës i palëkundur dhe i papajtueshëm, veçanërisht në lidhje me çdo zgjidhje që do të shpërbënte Brigadat al-Qassam e ka kthyer në një figurë qendrore, jo vetëm në luftën në terren, por edhe në diskutimet për të ardhmen e Rripit të Gazës.

E ardhmja e “Fantazmës”:

Pyetja kryesore sot është nëse al-Haddad do të jetë në gjendje të shndërrojë sukseset e tij në fushëbetejë në kapital politik. Nga njëra anë, ai përballet me presionin e madh të popullatës civile, e cila po përjeton pasoja të rënda humanitare. Nga ana tjetër, rindërtimi i Hamasit si forcë ushtarake dhe politike varet pothuajse tërësisht nga kapaciteti i tij organizativ.

Nëse ai zgjedh rrugën e përshkallëzimit dhe përçarjes së plotë, Gaza rrezikon të mbetet e zhytur në një luftë rraskapitëse me një të ardhme të pasigurt. Nëse, përkundrazi, ai pranon lëshime taktike, do ta bëjë këtë vetëm nëse sigurohet që Hamasi të mbijetojë si strukturë ushtarake dhe politike.

Në këtë moment, ai mban në dorë fatin e Planit Amerikan të Paqes, të dorëzuar Hamasit që prej së hënës së kaluar. Në thelb, është në duart e tij të vendosë nëse do të vijojë vdekja e civilëve palestinezë apo shuarja politike dhe ushtarake e vetë Hamasit, të cilit i ka shërbyer për dekada.

Comments