Haxhiu e quan lajm të mirë konstituimin e Kuvendit: Falënderoj deputetët për angazhimin

139
fresco

Nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka folur pas zgjedhjes së Nenad Rashiqit në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës.

Ajo e ka cilësuar konstituimin e Kuvendit si lajm të mirë për qytetarët dhe për shtetin, duke falënderuar të gjithë deputetët që, siç tha, kanë kontribuar në këtë proces.

Në deklaratën e saj, Haxhiu gjithashtu është shprehur e habitur me qëndrimin e Partisë Demokratike të Kosovës, duke theksuar se deputetët e saj nuk votuan pro Rashiqit, raporton Klankosova.tv.

“Konsideroj se, së pari, për Lëvizjen Vetëvendosje, për qytetarët e Kosovës dhe për deputetët e Grupit Parlamentar, konstituimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës është lajm i mirë. Prandaj, në këtë drejtim, më lejoni t’i falënderoj të gjithë deputetët që kanë kontribuar në këtë proces. Ajo që dua të shtoj është se për mua është e habitshme qëndrimi i PDK-së. Ata nuk patën votë kundër Listës Serbe, prandaj uroj që ta sqarojnë qëndrimin e tyre, sepse sot të gjithë bashkë është dashur të jemi në të njëjtën linjë për të kontribuar në konstituimin e Kuvendit të Kosovës”, deklaroi Haxhiu./Klankosova.tv.

Comments