Shqetësim nga Komiteti i Helsinkit për retorikën në fushatë

74
fresco

Komiteti I Helsinkit për të drejtat e njeriut ka reaguar ashpër për përhapjen e gjuhës së urrejtjes nga pjesëmarrësit politik , në kuadër të fushatës zgjedhore. Nga atje u bëjnë thirrje të gjithë pjesëmarrësve politikë që ta kundërshtojnë këtë fenomen dhe të mbështesin kulturën e tolerancës, dialogut dhe respektit për diversitetin.

“Gjuha e urrejtjes nuk është shprehje e të drejtës demokratike për lirinë e fjalës, ajo përbën një kërcënim serioz për të drejtat e njeriut, kohezionin shoqëror dhe procesin demokratik. Tendenca e pjesmarësve politikë dhe figurave publike për të përdorur ose toleruar këtë lloj retorike për mobilizim politik, e cila nxit drejtpërdrejt tensione midis komuniteteve të ndryshme, është veçanërisht alarmante”, thonë nga Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut.

Ata i referohen edhe kandidateve gra për kryetare komune dhe këshilltare, të cilat, sipas tyre, përballen me sfida serioze sociale dhe siç thonë ata, më e spikatura prej të cilave është gjuha e urrejtjes dhe dhuna me bazë gjinore në hapësirat publike dhe në rrjetet sociale.

“Kandidatet gra, shumë më shpesh sesa burrat, janë cak i komenteve seksiste dhe përçmuese, fyerjeve dhe sulmeve në baza personale, në vend që të bazohen në pikëpamjet ose programet e tyre politike. Kjo krijon një atmosferë frike dhe demotivimi, e cila i dekurajon drejtpërdrejt gratë të kandidojnë për poste dhe të marrin pjesë aktive në jetën politike”, Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut.

Komiteti i Helsinkit u bën thirrje partive politike dhe kandidatëve të përmbahen nga çdo formë e gjuhës së urrejtjes dhe të promovojnë një fushatë zgjedhore të drejtë dhe dinjitoze./Shenja

Comments