Policia: Procesi zgjedhor në Maqedoninë e Veriut zhvillohet në qetësi dhe pa probleme serioze
Policia e Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur se deri më tani procesi zgjedhor po zhvillohet në mënyrë të qetë dhe pa incidente të mëdha. Sipas raportit zyrtar, nuk janë evidentuar parregullsi serioze që të cenojnë rendin dhe qetësinë publike, ndërsa atmosfera në vendvotime cilësohet si demokratike, e qetë dhe fer në të gjithë territorin e shtetit, transmeton FaktiDitor.info
Autoritetet policore kanë theksuar se po ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të garantuar një proces zgjedhor pa probleme. Ndërkohë, janë shënuar disa raste të agjitimit në vendvotime të caktuara. Policia ka rikujtuar qytetarët se mund të raportojnë çdo shkelje në numrat emergjentë 192 dhe 112.
Në një rast konkret në Prilep, rreth orës 09:00, policia arrestoi dy persona nga Krusheva, B.H. (72) dhe D.S. (36), të dy të dyshuar për veprën penale “ryshfet gjatë zgjedhjeve dhe votimit”. Në kuadër të hetimeve, pesë persona të tjerë nga Krusheva, me qëndrim në Prilep, janë thirrur për intervistim në polici.