Gjorgjievski merr përkrahje nga Mexhiti dhe Bakiu për raundin e dytë në Shkup

90
fresco

Kandidati i VMRO-DPMNE-së për kryetar të Qytetit të Shkupit, Orce Agjorgjievski, ka zhvilluar sot një takim me kryetarin e sapozgjedhur të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, si dhe me kandidatin për kryetar të Shkupit nga koalicioni VLEN, Bashkim Bakiu, shkruan gazeta KOHA.

Në një status të publikuar në rrjetet sociale, Gjorgjievski theksoi se ka marrë mbështetje të sinqertë dhe të fortë nga të dy bashkëbiseduesit për raundin e dytë të zgjedhjeve në Shkup, duke e vlerësuar këtë si nxitje të re për fushatën e tij.

“Sot realizova një takim me kryetarin e ri të Çairit, Izet Mexhiti, dhe me kandidatin për kryetar të Shkupit nga Koalicioni VLEN, Bashkim Bakiu. Prej tyre mora mbështetje të sinqertë dhe të fuqishme për raundin e dytë në Shkup – mbështetje që jep energji dhe motiv shtesë për të vazhduar përpara”, shkruan Gjorgjievski.

Ai falënderoi qytetarët që, siç tha, “e kanë njohur vizionin dhe kanë zgjedhur të ardhmen për Shkupin”, duke shtuar se beson në një fitore të madhe në raundin përfundimtar.

“Faleminderit të gjithëve që e keni njohur vizionin, keni dhënë besim dhe keni zgjedhur të ardhmen e Shkupit. Së bashku do ta bëjmë qytetin tonë sërish krenar, modern, dinjitoz dhe të hapur për të gjithë ata që jetojnë në të. Shkupin e bëjmë bashkë – në mënyrë skopjane! Fitorja do të jetë historike!”, përfundon Agjorgjievski.

Ndryshe, në raundin e dytë për kryetar të Shkupit garon Gjorgjievski dhe Amar Mecinoviq i partisë E Majta. (koha.mk)

Comments