OSBE/ODIHR: Zgjedhjet u zhvilluan në klimë të polarizuar, pa fokus në çështjet lokale
Zgjedhjet lokale ishin konkurruese, por shumë të polarizuara dhe me dominim të temave kombëtare përfshirë linjën etnike, që shtypi çështjet lokale – vlerësojnë vëzhguesit ndërkombëtarë. OSBE/ODIHR, Kongresi i Këshillit të Evropës dhe Parlamenti Evropian edhe këtë herë regjistruan se paratë shtetërore përdoren për qëllime politike, dhe kishte akuza për presione dhe frikësim të votuesve dhe të punësuarve në administratën publike.
“Rregulloret ligjore për reklama politike, përfshirë edhe në media, vendosën kandidatët e pavarur dhe partitë jashtëparlamentare në pozitë të pafavorshme dhe i përjashtuan padrejtësisht partitë e vogla”, tha Mateo Mekachi, OSCE/ODIHR.
Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale pranë Këshillit të Evropës vlerësoi se dita e zgjedhjeve kaloi paqësore dhe rregullisht, me vlerësim pozitiv për punën e komisioneve zgjedhore dhe përdorimin e identifikimit biometrik, megjithëse vërejtën ndërprerje teknike që duhet të tejkalohen në të ardhmen.
“Ne përshëndesim faktin që që nga misioni i fundit i Kongresit për vëzhgim të zgjedhjeve, anëtarët e komisioneve zgjedhore morën standard më të lartë trajnimi, që e rriti kapacitetin operativ të administratës zgjedhore, së bashku me përpjekjet pozitive për të përmirësuar përdorimin e identifikimit biometrik. Kishte probleme teknike me këto makina, që i pamë nga afër dhe shpresojmë se do të mund të zgjidhen për zgjedhjet e ardhshme…”, tha Gobnit ni Vimnehan, Kongresi i Këshillit të Evropë
Parlamenti Evropian kujton se shumë rekomandime nga vëzhgimet e mëparshme janë ende të hapura, dhe gjatë ditës së zgjedhjeve pati gabime procedurale në rendin e numërimit të votave, votim familjar dhe akses të dobët për personat me aftësi të kufizuara.
Në lidhje me përfaqësimin e grave, vëzhguesit theksojnë se kuotat ligjore lejojnë që një e treta të jenë në listat këshilltare, por në listat për kryetarë komune gratë janë dramatikisht të nënvlerësuara dhe duhet gjetur zgjidhje për përfaqësim adekuat edhe në këto lista. Nga Parlamenti Evropian, i cili në thelb nuk vëzhgon zgjedhjet lokale, u tha se disa gjëra duhet përmirësuar.
“Ne gjithashtu inkurajojmë luftë të fortë dhe të vazhdueshme kundër korrupsionit – forcë destabilizuese që rrezikon integritetin e institucioneve demokratike të vendit. Inkurajojmë autoritetet e reja lokale të fokusohen në çështjet kyçe lokale, duke iu përgjigjur thirrjeve të qytetarëve për kushte më të mira jetese, kosto më të ulët të jetesës, ajër të pastër dhe qëndrim të vendosur kundër korrupsionit”, deklaroi Marta Tamido.
Vlerësimi i përgjithshëm është se zgjedhjet ishin konkurruese dhe përgjithësisht paqësore, por se vërejtjet thelbësore të OSBE/ODIHR dhe partnerëve nuk adresohen mjaft shpejt, veçanërisht në pjesën e shanseve të barabarta në fushatë, aksesit, listës së saktë të votuesve dhe forcimit të përmbajtjes lokale në zgjedhjet lokale.