Pjesa më e madhe e provave të prezantuara nga mbrojtja e Jakup Krasniqit, që dëshmojnë për krimet serbe të kryera në Kosovë, nuk janë pranuar në rastin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare në Hagë.
Kështu kanë vendosur gjyqtarët e rastit, duke theksuar se përgjithësisht këto dëshmi, janë komplet të parëndësishme për procesin ndaj Thaçit, Krasniqit, Veselit e Selimit, që po zhvillohet në Hagë.
Në vendimin të cilin e ka parë gazeta Nacionale thuhet se nuk është vërtetuar ndonjë ndërlidhje mes aktakuzës, dhe provave të cilat dëshmojnë krimet e Serbisë në Kosovë.
“Paneli së pari vëren se më parë ka vendosur që provat për krimet e dyshuara të kryera nga forcat serbe janë përgjithësisht të parëndësishme për akuzat kundër të Akuzuarit. Mbrojtja e Krasniqit gjithashtu nuk ka arritur të vërtetojë se incidentet e përshkruara në këtë pikë janë të lidhura me ndonjë nga akuzat ose faktet në Aktakuzë, ose se ato lidhen me ose janë provuese të organizimit ose aktivitetit të UÇK-së në zonë në një kohë ose vend që lidhet me akuzat”, thuhet në fillim të vendimit.
Por, cilat prova u rrëzuan dhe pse?
Mbrojtja e Jakup Krasniqit kishte dorëzuar materiale të shumta, dëshmi të shkruara, video-incizime të cilat sipas tyre, dëshmojnë se në Kosovë ka qenë gjendje kaosi, dhe shumë krime janë kryer në shenjë hakmarrjeje nga individë pas krimeve të Serbisë në zona të ndryshme.
Pas kërkesës së Jakup Krasniqit, Prokuroria e Hagës kërkoi që këto prova të krimeve serbe të refuzohen. Dhe kështu ndodhi. Pjesa më e madhe e tyre u refuzuan, raporton Nacionale.
Prova me numrin 11 përmbante një material të BBC, ku kishte video-incizime të ndryshme që dëshmonin për krimet e Serbisë në Kosovë. Megjithatë, kjo për gjyqtarët e Speciales është e parëndësishme. Ata vendosën ta pranojnë një pjesë krejt të shkurtër të materialit, aty ku UÇK-ja iu ndihmonte hetimeve të mundshme, por jo edhe dëshmive për krimet e Serbisë./lajmi.net