Ish-agjent rus: Shërbimet britanike po planifikojnë atentat ndaj Putinit në Budapest

107
fresco

Një ish-agjent i inteligjencës ruse ka paralajmëruar presidentin Vladimir Putin të mos udhëtojë drejt Hungarisë për një takim të mundshëm me Donald Trump, duke pretenduar se ekziston një “komplot britanik për ta eliminuar”.

Andrey Bezrukov, ish-kolonel i shërbimit të jashtëm rus të inteligjencës (SVR), i cili dikur vepronte në fshehtësi në Shtetet e Bashkuara, i bëri thirrje Putinit të anulojë planet për vizitën në Budapest, duke e quajtur atë një “operacion absolutisht tradhtar”.

“Kam shumë, shumë shqetësime serioze për Budapestin”, deklaroi Bezrukov gjatë një emisioni në televizionin shtetëror rus, ku paralajmëroi se vizita mund të shfrytëzohej nga Britania për një atentat ndaj Kremlinit.

Bezrukov, identiteti i të cilit u zbulua në vitin 2010 gjatë një operacioni të FBI-së që çoi në arrestimin e agjentes ruse Anna Chapman, aktualisht është profesor në Institutin Shtetëror të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Moskë (MGIMO) dhe këshilltar pranë kompanisë shtetërore të naftës, Rosneft.

Sipas mediave britanike, ai deklaroi se “mentaliteti britanik është i ndërtuar mbi idenë se nëse Putini nuk ekziston, atëherë nuk ka problem”, duke shtuar se “elita politike në Londër po humbet ndikimin e saj dhe mund të kërkojë një ‘goditje fatale’ ndaj Rusisë”.

Bezrukov sugjeroi që çdo takim mes Putinit dhe presidentit amerikan Donald Trump të zhvillohet në një vend neutral si Emiratet e Bashkuara Arabe, “për të shmangur rrezikun”.

Megjithatë, ai nuk ofroi asnjë provë konkrete për pretendimet e tij.

Comments