Sarkozy nis vuajtjen e dënimit – shfaqet me bashkëshorten në dalje nga banesa
Nicolas Sarkozy hyn në burg. Rreth orës 9:15 të mëngjesit të së martës, ish-presidenti i Republikës Franceze la shtëpinë e tij në perëndim të Parisit, dorë për dore me bashkëshorten e tij Carla Bruni, dhe brenda njëzet e pesë minutash mbërriti në lagjen Montparnasse, pranë burgut La Santé, ku nga sot nis të vuajë dënimin prej pesë vitesh.
Të afërm, miq dhe mbështetës besnikë të ish-presidentit francez, rreth njëqind persona në total, u mblodhën që në orët e para të mëngjesit nën banesën e tij dhe kënduan disa herë “Marseljezën”.
Miqtë e Sarkò-së iu përgjigjën thirrjes së djalit të tij 28-vjeçar: Louis Sarkozy kishte bërë apel që “në orën 8:30 të mblidhen të gjithë ata që duan t’i shprehin mbështetjen. Do të jemi pranë tij për t’i treguar dashurinë, respektin dhe besnikërinë tonë të përjetshme”, kishte njoftuar ai.
Sarkozy u dënua për “bashkëpunim në veprimtari kriminale” në procesin gjyqësor të shkallës së parë mbi financimet libiane për fushatën fituese elektorale të vitit 2007. Në pranverën e atij viti, dhjetëra kameramanë e ndoqën me motoçikleta gjatë mbërritjes së tij triumfuese në Pallatin Élysée; sot, të njëjtët kameramanë e ndjekin drejt burgut.
Duke rrezikuar të nxisë pakënaqësi te të dënuarit e zakonshëm, të cilët nuk gëzojnë një vëmendje të tillë, edhe presidenti aktual Emmanuel Macron dje shprehu afërsi me Sarkozy-n, dikur këshilltar i tij jozyrtar, duke e pritur në Élysée për një takim që zgjati mbi një orë.
Përballë kritikave, Macron u përgjigj se e konsideron “krejt normale, nga pikëpamja njerëzore, që të pres një nga paraardhësit e mi në këtë kontekst”.
Ish-presidentit i kanë shprehur solidaritet edhe shumë personalitete të njohura, nga ish-kryeministrat Edouard Balladur dhe François Fillon te udhëheqësja e Rassemblement National, Marine Le Pen, e cila është dënuar gjithashtu (por jo me burg) dhe kohët e fundit ka qenë shumë kritike ndaj sistemit gjyqësor.
Sarkozy ka paraqitur apel dhe për rrjedhojë hyn në burg si “i pafajshëm i supozuar”. Ai do të qëndrojë atje maksimumi disa javë dhe më pas, për shkak të moshës (70 vjeç), pritet të kthehet në shtëpi me byzylyk elektronik. “Jeta ime është një roman,” i tha Sarkozy gazetës Le Figaro disa orë para se të hynte në burg. Sonte ai do të kalojë natën e parë në një qeli prej njëmbëdhjetë metrash katrorë, me një dritare të vulosur. Ka treguar se ka marrë listën e gjërave që i lejohen.
Ai do të mbahet në izolim, pasi burgu nuk ka mënyra të tjera për të garantuar sigurinë e tij, dhe të burgosurit të tjerë do të jenë trafikantë droge ose terroristë. Natyrisht, nuk do të ketë telefon celular, por mund të shikojë një televizor të vogël. Ka të drejtë të mbajë një shall që nuk duhet të jetë më i gjatë se 1 metër. Gjithashtu, mund të mbajë një thikë me majë të rrumbullakosur dhe një pirun. Do të ketë në dispozicion një pjatë elektrike për gatim dhe do të lejohet të dalë një orë në ditë në oborrin e brendshëm, i shoqëruar nga tre roje. Ka të drejtë për tre takime në javë me familjarë dhe miq, mes të cilëve edhe ministri i Drejtësisë, Gérald Darmanin.
I është këshilluar të marrë tapa për veshët, për të mos dëgjuar britmat e të burgosurve të tjerë gjatë natës. “Kam me vete dy libra,” ka rrëfyer Sarkozy – “Konti i Monte Kristos dhe Biografia e Jezusit e shkruar nga Jean-Christian Petitfils.”(Corriere Della Sera)