Mbeturinat po “pushtojnë” Shkupin – qyteti pa pastrim që nga muaji i kaluar

124
fresco

Situata me mbeturinat dhe deponit e krijuara pranë kontejnerëve, vazhdon të mbetet shqetësim serioz në të gjithë Shkupin.

Banorët e Hasanbegut thonë se prej pesë javësh po përballën me mungesë të grumbullimit nga ana e ndërmarrjes ndërsa kërkojnë zgjidhje të menjëhershme.

“Të ishte një apo dy javë do të duronim por gati pesë javë këtu edhe krimbat kanë ardhur, qentë e macet i grisin thasët e mbeturinave dhe detyrohemi t’i grumbullojmë në mëngjes por përsëri shpresojmë që do t’i marrin por ja pesë jave nuk kanë ardhur t’i marrin”, tha Zafer Idrizi – Banor i Hasanbegut.

“Kjo është e turpshme që të bisedojmë për çështje banale si kjo për mbeturinat. Ky fenomen në botë nuk besoj që ndodhë e që grumbullohen kaq shumë si tek ne në Hasanbeg. Kjo është për turp të vije një i huaj të shohë në çfarë gjendje jemi, kjo është mjerim”, u shpreh Ridvan Halimi – Banor i Hasanbegut.

“Veç e falënderoj Zotin që është fllad dhe s’ka ere, se të ishte nxehet këtu nuk jetohet nga era”, tha një banor tjetër.

Gjendja me mbeturinat në Çair mbetet akoma më e renduar siç është edhe ky rast këtu me mbeturinat të cilat e kanë zënë edhe trotuarin dhe nuk mund të kalojnë lirshëm qytetarët në këtë pjesë.

“Këto mbeturina gati një javë janë kështu, kemi thirrur në Higjienën Komunale, thonë se nuk kanë kamionë, nuk kanë punëtorë dhe vazhdimisht kështu e kemi situatën”, tha një qytetar i Çairit.

“Si qytetarë i Çairit, normalisht që na pengojnë, pagesat i bëjmë rregullisht, por çfarë është kjo gjendje kështu”, u shpreh një qytetar tjetër i Çairit.

Pos trotuareve të bllokuara nga mbeturinat, gjendje e rëndë paraqitet edhe pranë Shkollave. Nxënësit madje në pamundësi të lëvizin në trotuare, dalin në rrugën kryesore.

Comments