Prokuroria e Parisit pyet tre të burgosur për kërcënimet me vdekje ndaj Sarkozys
Prokuroria e Parisit ka urdhëruar një hetim pas kërcënimeve me vdekje ndaj ish-presidentit francez, Nicolas Sarkozy, i cili ka filluar të vuajë dënimin me burg për financim të paligjshëm të fushatës së tij elektorale.
Hetimi u nis pas publikimit në internet të një videoje, ku një i burgosur në burgun La Santé dëgjohet duke bërë kërcënime ndaj Sarkozy-t gjatë mbërritjes së tij në këtë institucion ndëshkimor, që ndodhet në lagjen e 16-të të Parisit.
“Sipas prokurorisë së Parisit, më 22 tetor 2025 ajo u informua nga drejtori i burgut La Santé për një video që qarkullonte në rrjetet sociale, e cila, me sa duket, ishte filmuar nga një i burgosur dhe ku ai bënte kërcënime gjatë mbërritjes së Nicolas Sarkozy-t në burg,” thuhet në njoftimin zyrtar.
Tre të burgosur janë marrë në pyetje në kuadër të hetimit, ndërsa dy telefona celularë janë sekuestruar gjatë kontrollit në burg, shtoi prokuroria e kryeqytetit francez. Të burgosurit në fjalë janë vënë nën mbikëqyrje të shtuar policore.