Koalicioni VLEN thotë se kanë ra gënjeshtrat në zgjedhjet e fundit lokale dhe se qytetarët dhanë përgjigje për referendumin e paralajmëruar.
“Politika mbi 20 vjet e ndërtuar me vetëpëlqim, mashtrime dhe arrogancë u shemb më 19 tetor si kulla prej letrave. Fitoret e VLEN-it në Çair, Saraj, Haraçinë, Zhëlinë, Tearcë dhe epërsia bindëse në Tetovë, Bogovinë, Dibër, Strugë, Bërvenicë e Dollnen janë përgjigjja e qartë e shqiptarëve ndaj PR-trukut “referendumi” që me muaj e trumbetonin treshja në agoni Ahmeti–Taravari–Sela.
Në Kërçovë u pa fytyra e vërtetë e kastës së vjetër politike. Kur shpërtheu skandali, përgjigjja ishte e njëjtë si për 20 vite me radhë “ta kalojmë edhe këtë, si çdo herë tjetër”. Kjo është filozofia që ka mbajtur peng shqiptarët, mbyll sytë, bëj sikur s’dëgjon, e nesër vazhdo sikur s’ka ndodhur asgjë.
Pas publikimit të materialeve komprometuese, koalicioni VLEN kërkoi tërheqjen e kandidatit të AKI-së nga gara për të mbrojtur dinjitetin e procesit. Por ai zgjodhi të vazhdojë, duke e vendosur Kërçovën në pozitë të padrejtë dhe duke dëshmuar se për këtë kastë politike pushteti është oksigjeni i fundit politik”, thonë nga VLEN.

