Kosova gati për transfertën në Slloveni! Dardanët me zemër për Botërorin

90
fresco

Kosova do të luajë një ndeshje shumë të rëndësishme në rrugëtimin e saj për në Boëtëror. Dardanët do të përballen me Slloveninë në datën 15 nëntor, ndeshje kjo që mund të përcaktojë rrugëtimin e Kosovës për në “Play Off” të Kupës së Botës.

Interesimi është i lartë nga të dyja tifozeritë, madje Federata Sllovene e Futbollit ka njoftuar se përveç tribunës ku do të jenë shqiptarët, në çdo tribunë tjetër duhet që tifozët të kenë simbole të skuadrës së Sllovenisë. Sakaq, tifogrupi i Kosovës ka konfirmuar prezencën e tyre në këtë sfidë, duke shpjeguar edhe mënyrën se si do të funksionojë ndarja e biletave.

DEKLARATA- Dardanët udhëtojnë në Lubjanë më të motivuar së kurrë dhe më me besim se çdoherë tjetër, në ndeshjen ndaj Sllovenisë më 15 nëntor, për ta pritur shënimin e ditës së madhe për kombëtaren tonë! Në lidhje me biletat, ju bëjmë me dije se në shpërndarjen e tyre, nga ato çfarë na takojnë neve si tifogrup, përparësi do të kenë të gjithë ata që kanë qenë të pranishëm në ndeshjet e mëparshme që i kemi zhvilluar si mysafirë. Prioriteti do të anojë nga ata, ndërsa menjëherë pas tyre radha u takon anëtarëve tjerë të grupit për biletat e mbetura.

Për respekt të mundit, pasionit dhe sakrificave që kanë treguar për ta përkrahur Kosovën kudo nëpër Evropë, pavarësisht rezultateve që kemi pasur herë nën shkallën e pritshmërive e herë më të mira, mundësia e parë për t’u pajisur me biletë kemi vlerësuar se është e drejtë t’u takojë atyre. Të gjithë të interesuarit që i përmbushin këto kritere, ju ftojmë të vijnë në fanclub-in tonë në kryeqytet për t’u koordinuar në lidhje me udhëtimin që shpresojmë të jetë triumfal, historik dhe i paharruar. Në lidhje me detajet dhe përditësimet tjera, do të ju njoftojmë shumë shpejt.

Comments