Kardinali australian, George Pell, aktualisht prefekt i Selisë së Shenjtë për Çështjet Ekonomike është vënë nën hetim nga policia australiane me akuzën e abuzimit seksual me të miturit.
Kardinali, George Pell, është personaliteti më i lartë katolik australian e prej vitit 2014 funksionar i nivelit të tretë në hierarkinë e Vatikanit. Nuk është hera e parë që Selia e Shenjtë përfshihet nga skandali i pedofilisë, por është hera e parë që një funksionar i nivelit kaq të lartë në Vatikanit të vihet nën akuzën për krime seksuale ndaj të miturve.
Policia australiane ka informuar avokatët e kardinalit Pell në Melburne mbi akuzat e nisjen së procesit hetimor ndaj tij e më 18 korrik prefekti ekonomik i Vatikanit do të paraqitet për t’u marrë në pyetje përballë gjykatës australiane. Kardinali, George Pell, ka hedhur poshtë çdo akuzë ndaj tij.
Në një intervistë nga Roma për një televizion australian është shprehur se “është i pafajshëm e duhet pritur zhvillimi i procesit hetimor për ta vërtetuar këtë e se do të bashkëpunojë plotësisht me autoritetet e drejtësisë australiane për zbardhjen e së vërtetës”.