Raundi i dytë i zgjedhjeve: 12 fluturime çarter zbarkojnë në Ohër dhe Shkup

417

Gjatë fundjavës zgjedhore, kur po mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, u regjistrua trafik dukshëm i shtuar në aeroportet në Ohër dhe Shkup, me gjithsej 12 fluturime çarter të jashtëzakonshme, transmeton Portalb.mk.

Frekuenca më e lartë ishte në aeroportin “Shën Pali Apostull” të Ohrit, ku gjashtë aeroplanë zbarkuan të shtunën, më 1 nëntor. Dy prej tyre ishin Airbus A320 me nga 180 vende secili nga Bazeli, dhe katër Embraer 190 me një kapacitet prej 110 vendesh mbërritën nga Cyrihu. Gjatë ditës së djeshme, dy fluturime të tjera çarter u realizuan në Ohër, një nga Cyrihu dhe një nga Bratisllava.

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, fluturime çarter nga Cyrihu, Bazeli dhe Dortmundi zbarkuan të shtunën, ndërsa një fluturim nga Dyseldorfi u realizua të dielën. Kapaciteti i aeroplanëve që zbarkuan në kryeqytet varionte midis 110 dhe 180 vendeve.

Sipas videove të shpërndara në rrjetet sociale, pasagjerët ishin kryesisht emigrantë nga Struga dhe Kërçova, dy nga komunat ku zhvillohet raund i dytë votimi.

Të dhënat e pjesëmarrjes deri në orën 17:00 treguan dalje prej 48.29% në Kërçovë, ndërsa në Strugë pjesëmarrja ishte 35.39%.

Sot zhvillohet rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale, ndërsa dje votuan personat e sëmurë dhe të paaftë si dhe për të burgosurit. Votimi për këto kategori ka kaluar pa asnjë incident.

Comments