AKI: Identifikohen blerje votash dhe keqpërdorim i aparatit shtetëror

456

Menjëherë pas mbylljes së kutive të votimit, AKI doli me konferencë për mediat, ku deklaruan se ka pasur blerje të votave, me garë të pandershme dhe joligjore, si dhe keqpërdorim të aparatit shtetëror. Megjithatë, Arbër Ademi nga BDI, i cili edhe u paraqit për mediat, tha se qytetarët nuk lejuan që të devijojë rezultatin, duke mos i bërë të ditura pritshmëritë e koalicionit, transmeton Portalb.mk.

“Këto zgjedhje ishin më shumë se një garë lokale, ato ishin provë e karakterit politik dhe moral të shtetit. Rezistuam përballë një fushate të pandershme dhe joligjore që e njollosin procesin dhe e cenojnë barazinë e garës. Pamë blerje masive të votës, pamë asfalt elektoral, shfrytëzim të resurseve publike dhe ndërhyrje brutale të aparatit shtetëror në favor të pushtetit. Megjithatë, pavarësisht këtyre abuzimeve, qytetarët dëshmuan se dinë të dallojnë dhe nuk lejuan që këto metoda të errëta ta devijojnë rezultatin e raundit të parë . Prandaj jemi të bindur se nuk do të arrijnë ta devijojnë as tani, në raundin e dytë. Besimi është te qytetari, te forca e votës së lirë dhe dinjiteti i njeriut që nuk shitet për një thes çimento, një rrugë të shtruar me nguti apo një kontratë të përkohshme. Në këtë fazë të ndjeshme, bëjmë thirrje ndaj çdo komisioneri, çdo vëzhguesi dhe çdo institucioni përgjegjës që me ndershmëri dhe përgjegjësi të lartë profesionale të garantojnë votën e lirë të qytetarëve dhe integritetin e procesit zgjedhor. Çdo votë është e shenjtë dhe çdo ndërhyrje në të është ndërhyrje në të ardhmen e vendit”, tha Adami.

Comments