LSDM nën zjarr kritikash: Shkupi i mbuluar nga mbeturinat për spektakël PR të Orces

72
fresco

LSDM ka kritikuar qeverinë e VMRO-DPMNE-së dhe Orce Gjorgjievskin për mosveprim të qëllimshëm lidhur me grumbullimin e mbeturinave në Shkup. Sipas tyre, qyteti u la për muaj të tërë në ndotje, gjë që solli probleme higjienike dhe shqetësim për banorët, ndërsa autoritetet përdorën situatën për qëllime PR me spektakle dhe inskenime. LSDM thekson se qytetarët meritojnë një qytet të pastër dhe një sistem funksional, e jo bllokada të qëllimshme, transmeton Portalb.mk.

“Për muaj të tërë, Shkupi po mbytej në mbeturina, banorët e Shkupit jetonin në ndyrësi çdo ditë nga e cila dilnin brejtës, dhe qeveria e VMRO-DPMNE-së nuk bëri asgjë. Në vend që të organizonte një pastrim të qytetit, DPMNE qëllimisht bllokoi mbledhjen e mbeturinave dhe nuk bëri asgjë, as përmes BNJVL-së dhe as përmes Bordit të Drejtorëve të Higjienës Komunale, i la banorët e Shkupit të mbyten në mbeturina”, thonë nga LSDM.

Nga kjo parti shtojnë se mbrëmë, banorët e Shkupit panë pse mbeturinat kishin mbetur, pse nuk ishte bërë asgjë për muaj të tërë, vetëm që Orce Gjorgjievski të bënte truke PR, spektakle cirku me dronë dhe kamera.

“Ky është një qëndrim i turpshëm dhe nënvlerësim i qytetarëve të vet. Ndërsa bota dhe rajoni po përparojnë me inteligjencë artificiale, ndërsa fqinjët tanë po dërgojnë satelitë në orbitë, DPMNE dhe Orce Gjorgjievski na kanë sjellë në këtë pikë, në bllokada të qëllimshme për qëllime PR. Shkupi dhe njerëzit e tij nuk e meritojnë një qëndrim kaq përbuzës, por më tepër një qytet të pastër, modern dhe të organizuar, me një sistem që funksionon, jo me hile për qëllime PR-i”, theksojnë nga LSDM.

Ndryshe, kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgievski, njoftoi mbrëmë se gjithsej 371 persona janë larguar nga puna nga ndërmarrjet publike, të cilët ose nuk kanë shkuar në punë ose kanë abuzuar me vendet e tyre të punës, ndërsa e gjithë kjo është paguar me mjete të qytetarëve. Ai njoftoi se aktivitetet për zbulimin e abuzimeve në ndërmarrjet publike të qytetit do të vazhdojnë në ditët në vijim.

Dhe ndërsa Shkupi mbytej në mbeturina për javë të tëra, pushteti dhe opozita vazhdonin ritualin e akuzave – njëra palë thoshte se mungonin makinat e pastrimit, tjetra se mungonte vullneti politik. Por sapo erdhi Gjorgjievski, për çudi, gjithçka nisi të funksionojë si me shkop magjik. Kamionët e pastrimit dolën në terren, mbeturinat u zhdukën dhe qyteti filloi të marrë frymë. Për shumëkënd, kjo u interpretua më shumë si skenar i përgatitur me kujdes-një teatër i tërë, vetëm që Gjorgjievski të shkëlqente në skenën e tij të parë publike si “shpëtimtari” i Shkupit.

Problemi i kushteve johigjienike në qytet u përshkallëzua në mes të zgjedhjeve lokale në Maqedoni.

Lidhur me problemin me mbledhjen dhe transportimin e mbeturinave komunale në territorin e Qytetit të Shkupit, Qeveria i ngarkoi inspektoratet kompetente, së bashku me Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), të fillojnë inspektim të jashtëzakonshëm të koordinuar për të përcaktuar situatën me mbeturinat komunale, dhe me qëllim të ndërmarrjes së masave dhe aktiviteteve përkatëse.

Në vazhdën e kësaj situate, u arrestuan edhe ish-drejtorët e Ndërmarrjes Publike Higjiena Komunale.

Ata dyshohen se kanë kryer vepër penale të rrezikimit të mjedisit jetësor dhe natyrës me mbeturina, sepse kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Mbeturinave dhe aktivitetin themelor të kompanisë për mbledhjen dhe transportimin e rregullt të mbeturinave komunale në territorin e Qytetit të Shkupit.

Comments